Keita Balde thotë se është i përqendruar te Lazio, mirëpo ka pranuar se ëndërron të luajë për klube, si Barcelona, Real Madridi apo Manchester Unitedi, në të ardhmen.
Anësori ka konkurrencën e lojtarëve, si Antonio Candreva, Felipe Anderson e Ricardo Kishna, në pozitën ku luan, ashtu që po spekulohet për largimin e tij në afatin kalimtar veror.
Megjithatë, senegalezi i ka siguruar tifozët e klubit nga kryeqyteti italian se nuk e ka në plan të lëvizë në një të ardhme të afërt.
“Jam i qetë dhe tash për tash do të qëndroj këtu, përkundër ofertave nga klubet tjera”, ka thënë Keita për TFM duke ritheksuar konkurrencën që ka për pozitën e tij në skuadër.
“Kjo është arsyeja pse nuk po luaj gjithmonë, por për moshën që kam, unë po luaj mjaftueshëm. Duhet të vazhdoj të zhvillohem dhe të fitoj më shumë vetëbesim”.
“Ambiciet e mia janë që të luaj për një nga klubet më të mira në botë, si Barcelona, Real Madridi apo Manchester Unitedi – kjo është ëndrra e çdo të riu”, ka shtuar 20-vjeçari. /Telegrafi/