Telegrafi

Endrick viziton ambientet e Real Madridit, takon edhe bashkëlojtarët

Ylli i ardhshëm i Real Madridit, Endrick ka mbërritur në kryeqytetin e Spanjës për të vizituar nga afër ambientet e klubit si dhe për t’u takuar me bashkëlojtarët.

“Los Blancos” kanë siguruar shërbimet e sulmuesit të Palmeiras për shifrën e 52 milionë eurove në dhjetor të vitit të kaluar, duke mposhtur konkurrencën e disa klubeve të mëdha si Chelsea, PSG dhe Barcelona.

Sidoqoftë, 17-vjeçari nuk mund t’i bashkohet gjigantit spanjoll deri në korrik të 2024 pasi rregullat e FIFA-s ndalojnë lojtarët nën moshën 18 vjeçare që të transferohen jashtë vendi.

Tani ai është parë në qendrën stërvitore të madrilenëve në Valdebebas, duke përcjellur nga afër stërvitjen e klubit para ndeshjes së nesërme (e diel) ndaj Villarrealit.

Real Madridi shpërndau një video të Endrick duke takuar Carlo Ancelottin dhe pjesën tjetër të bashkëlojtarëve.

Endrick u pa duke shkëmbyer disa fjalë me Jude Bellingham i cili mbeti i habitur kur mësoi se braziliani zotëron aftësi të mira për të komunikuar në gjuhën angleze.

Lëvizja e Endrick në Madrid e bën atë njërin nga adoleshentët më të shtrenjtë në histori të futbollit.

Shumë persona shpresojnë që Endrick të jetë në gjendje të ndjekë hapat e bashkëkombasve të tij dhe të korrë sukese me fanellën e Real Madridit.

Lexo po ashtu Endrick ka mbërritur tashmë në Madrid

Endrick shënoi 14 gola në 31 ndeshje për Palmeiras në 2023 dhe tashmë ka bërë dy paraqitje me kombëtaren e Brazilit.

Vlen të theksohet se ai ka fituar dy trofe me Palmeirasin ndonëse shumë i ri në moshë duke qenë njëri nga lojtarët kryesorë./Telegrafi/