Është vetëm 14-vjeçar por për të qysh tani ka filluar të flitet se do të bëjë një karrierë të madhe në të ardhmen.
Fjala është për talentin e madh nga Kosova, Valon Zumberin i cili po shkëlqen në futbollin gjerman.
Valoni është pjesë e skuadrës së madhe gjermane, Hamburger SV ku luan në rolin e mesfushorit fundor.
Në një intervistë për Telegrafin, djaloshi i talentuar flet për karrierën e tij edhe pse është në fillim të saj.
Ai së fundmi është bërë edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, ndërsa thotë se dëshiron një karrierë si të Mërgim Mavrajt.
“Me futboll kam filluar që nga mosha tri vjeçare, ndërsa tek Hamburgu jam nga viti 2008”, shprehet Zumberi për Telegrafin.
“Karrierën e kam filluar tek një skuadër pak e njohur si HT16 ndërsa në vitin 2009 kemi pasur një turne shumë të madh ku u zgjodha lojtari më i mirë dhe fati im ishte se ishin scautet e Hamburgut ku më transferuan në akademinë e tyre”.
Valoni është i vetmi lojtar që ka mbijetuar te Hamburgu nga akademia dhe tani është pjesë e U15.
Ai luan rregullisht në Bundeasliga me ekipin e tij, ndërsa po merr pjesë nëpër turne të ndryshëm ku janë edhe klube të mëdha si Barcelona, Arsenal, Milan apo skuadra tjera.
“Jam lojtar i rregullt në formacionin e parë ku ndeshje në kampionat luaj gjithmonë. Gjithashtu marrim pjesë nëpër turne të ndryshëm ku përballemi me klube të mëdha si Barcelona, Milan, Chelsea apo të tjera”, vazhdon rrëfimin për Telegrafin Zumberi.
14-vjeçari është bërë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U17 ku ka bërë edhe debutimin e tij në janar në turneun Kusadasi në Turqi.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. Në vitin 2016 jam bashkuar dhe është nder për mua ta barti fanellën e vendlindjes”.
Valoni luan në rolin e mesfushorit defensivë, ndërsa shpesh herë aktivizohet edhe si mbrojtës.
“Me Kosovën kam marrë pjesë në turneun Kusadasi në Turqi në janar të këtij viti. Fatkeqësisht tani kam një lëndim dhe nuk kam mundur të marrë pjesë në Irlandë”.
“Në turneun e Irlandës, bashkëlojtarët e mijë treguan sukses të madh duke më bërë krenar. Me padurim po pres kualifikimet për Kampionat evropian që do të zhvillohen në tetor në Hungari të tregojmë sukses me Përfaqësuesen”, vazhdon Valoni.
Valoni vazhdon të jetoj ëndrrën për tu bërë një futbollist profesionist në të ardhmen.
Ai tek Hamburgu U15 është lojtari më i ri në moshë ndërsa nga viti tjetër pritet të kaloj në U17.
“Ëndrra ime është të bëhem një futbollist profesionist pasi për këtë stërvitem vazhdimisht që të arrij të bëjë një karrierë të mirë në të ardhmen”.
Në fund Zumberi flet edhe për futbollistin e tij të preferuar i cili është Mërgim Mavraj që aktivizohet në Bundesligën e Gjermanisë pikërisht te Hamburgu.
“Lojtari im i preferuar është Mërgim Mavraj. Është futbollist tejet i mirë dhe i thejshtë që duhet marrë shembull”.
“Në stadiumin e Hamburgut jam takuar me të dhe më ka lënë shumë përshtypje. Edhe sa ishte pjesë e Kolnit jemi takuar këtu ku edhe ma ka dhuruar fanellën e tij. Shpresojë të bëhem si ai dhe ta kem një karrierë po aq të suksesshme”, përfundoi Zumberi.
Valoni ka zhvilluar tri ndeshje me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës për grupmoshat U17. /Telegrafi/