Amendamentet e Propozim-ligjit për prokurori publike ku rregullohet statusi i PSP-së nga OBRM-PDUKM janë të papranueshme për ministrinë e Drejtësisë. Nga ministria thonë se materialet që partia i ka dorëzuar janë shqyrtuar mirëpo dallimet mbeten.
“Këtë fundjavë nga OBRM-PDUKM dorëzuan përsëri materiale, por dallimet kyçe mbeten. Materialet nuk ishin në pajtim me rekomandimet evropian për hapjen e bisedimeve”, thonë nga ministria e Drejtësisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Jozyrtarisht në tekstin që partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM e ka dërguar janë vendosur edhe një pjesë e 65 amendamentet që u refuzuan më herët. Në disa prej tyre, OBRM-PDUKM propozon që PSP të pozicionohet vetëm si repart në Prokurorinë për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por me mandat deri sa të zgjasin proceset gjyqësore.
Burime nga bisedimet brifojnë se edhe OBRM-PDUKM mbetet në pozicionin të ndalohen hetimet që PSP i ndërmerr pas 30 qershorit të vitit 2017, dhe se janë kundër opsionit që PSP t’i ndërmerr hetimet nga prokuroritë tjera për t’i proceduar.
Nga LSDM thonë se OBRM-PDUKM nëpërmjet amendamenteve të tyre kërkon amnisti për funksionarët partiak të përfshirë në hetimet e PSP-së.
Nga OBRM-PDUKM thonë se ministria nuk e ka respektuar marrëveshjen për konsultime ndërsa nga ministria e Drejtësisë thonë se konsultimet vazhdojnë dhe se Ligji për prokurori publike, që zgjedh statusin e PSP-së, është një nga kushtet për marrjen e datës për bisedime me BE-në dhe se për miratimin e këtij ligji është e nevojshme shumica prej dy të tretave./Telegrafi/