Site icon Telegrafi

Ende s’ka datë se kur do të riprocedohet Marrëveshja për demarkacionin

Pas dështimit të Qeverisë së Kosovës, që në seancën e 1 shtatorit, ta kaloi marrëveshjen e demarkacionit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës, ekzekutivi kosovar ende nuk ka treguar se kur do ta procedojë përsëri këtë temë në legjislativin e vendit.

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj tha për Telegrafin se ende nuk e kanë caktuar një datë se kur do të mbahet seanca në të cilën do të riprocedohet marrëveshja për demarkacionin.

Ai ka thënë se riprocedimi i Marrëveshjes për Demarkacionin do bëhet “sapo të përmbushen rrethanat, pasi që me këtë çështje jemi vonuar më shume se një vit”.

Por, zyrtarë të partive opozitare mendojnë se versioni aktual i demarkacionit është i vdekur dhe se Qeveria e Kosovës duhet ta rishikojë këtë propozim të Komisionit që është marrë me përcaktimin e vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albulena Haxhiu, ka thënë për Telegrafin se demarkacioni me Malin e Zi në versionin aktual, që falë 8200 hektarë tokë është marrëveshje e vdekur.

Sipas saj, merita për këtë i takon qytetareve të Republikës, rezistencës së pakompromisë të opozitës por edhe ekspertëve dhe disa deputetëve të mazhorancës, të cilët e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje të padrejtë dhe të dëmshme.

“Ne si subjekt politik kemi paraqitur alternativen tonë sa i përket kësaj çështje, pra kemi paraqitur 5 pika, e që janë zgjidhja e duhur për këtë problem. Rikthimi i versionit të njëjtë të marrëveshjes për demarkacionit, tensionon sërish situatën sepse kundërshtimi ynë do të jetë njësoj i fuqishëm. Për gjithçka çfarë ndodhë do të mbahet përgjegjëse kjo Qeveri të cilës ka kohë që i ka humbur legjitimiteti”, ka thënë Haxhiu.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka theksuar se kundërshtimi i një pjese të mirë të deputetëve për të mos e votuar këtë version të demarkacionit ka bërë që Qeveria të mos e riprocedojë këtë çështje në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë për Telegrafin se mosprocedimi i demarkacionit është rezultat i presionit të deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës, dhe jo pse Qeveria dhe Komisioni për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi ka ndryshuar qëndrim.

“Në tavolinë janë dy versione që marrëveshja të vijë në Kuvend dhe të rrëzohet, dhe tjetra të shkarkohet Komisioni dhe të formohet një Komision i ri për ta rishqyrtuar demarkacionin në bashkëpunim me Malin e Zi”, ka shtuar Lekaj. /Telegrafi/

Exit mobile version