Edhe krahas paralajmërimeve pas takimit mes kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski se grupet e punës së LSDM-së dhe OBRM-PDUKM nga 11 marsi do të punojnë në mënyrë të pavarur në projektligjin e ri për prokurorinë publike, me të cilin parashikohet integrimi i Prokurorisë Speciale Publike në Prokurorinë Publike, ato ende nuk janë formuar.
Grupin e punës të LSDM-së e kryeson ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ndërsa ende pritet që OBRM-PDUKM të emërojë anëtarë.
Aleanca për Shqiptarët nuk do të japë mbështetje, sepse sipas tyre kjo është lojë politike, ndërsa e pakënaqur nga puna e PSP është edhe Lëvizja Besa. E pasigurt është edhe mbështetja e OBRM-PDUKM-së, si dhe PDSH-së.
Sipas zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani është i rremë lajmi se BDI-ja insiston për ndërrim të ekipit të PSP-së.
Osmani theksoi se do të vazhdojë me mbështetje që të sigurohet shumica dhe të miratohet ligj i ri për prokurori publike, në të cilën është inkorporuar PSP-ja, siç tha dje, do të jetë përcaktim i qartë për vlerësimin e suksesit të axhendës reformuese.
Mickoski në takimin me Zaevin kërkoi që ta zgjerojë përfshirjen e veprave që do t’i ndjekë Prokuroria Speciale Publike.
Kryeministri Zaev thotë se sipas ligjit, mandati i prokurores speciale publike Katica Janeva zgjat deri në mars të vitit 2020 dhe se pret konstruktivitet dhe mbështetje nga partia më e madhe opozitare.
Ligji për prokurori publike për të cilin nevojitet dy e treta e shumicës, do të ishte mirë të aprovohet para zgjedhjeve së bashku me ligjet tjera reformuese, që janë kusht nga Bashkimi Evropian për marrje të datës për bisedime.