Site icon Telegrafi

Ende nuk dihet kur mund të fillojë numërimi i votave të diasporës

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se janë duke pranuar materialin e ndjeshëm i cili është përdorur gjatë ditës së zgjedhjeve, teksa shpjegoi se pa përfunduar disa procese në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve nuk do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht dhe atyre nga jashtë vendit.

Ai njoftoi se numërimi i votave nëpër vendvotime ka përfunduar gjatë të dielës në mbrëmje.

“Numërimi i fletëvotimeve nga vendvotimet, ka përfunduar të dielën në mbrëmje, ato pothuajse 99% janë tashmë në web faqe. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve jemi duke pranuar materialin ndjeshëm që është përdorur gjatë ditës së djeshme në vendvotime. Ky proces është i domosdoshëm, për të ditur saktë se si ka shkuar procesi i votimit gjatë ditës së djeshme”, tha Elezi.

Elezi tha se nuk mund të thotë një datë të saktë se kur fillon numërimi i votave me kusht dhe atyre që kanë ardhur nga jashtë vendit.

Foto: Ridvan Slivova

“Është e pamundur të themi një datë të saktë se kur do të nisim numërimin e fletëvotimeve me kusht, te personave me nevoja të veçanta dhe atyre që kanë ardhur nga jashtë Kosovës. Do të presim të përfundojnë të gjitha procedurat në QNR. Pas pranimit të materialit të ndjeshëm, pastaj do të bëhet skanimi i listës së votuesve, është i domosdoshëm të bëhet ky skanim për të krahasuar të dhënat me votuesit me kusht që kanë votuar në vendvotime të dyfishta”, tha Elezi.

 

Pas përfundimi të këtyre proceseve, Elezi tha se janë të gatshëm të vazhdojnë me numërimin e votave me kusht, atyre të personave me aftësi të kufizuara dhe votat nga jashtë vendit.

Ai foli edhe për mungesën e fletëvotimeve dhe zarfeve për votat me kusht, ku u shpreh se askush nga qytetarët nuk ka mbetur pa votuar.

“Vendvotimi nuk është mbyllur, ai është mbyllur vetëm pasi të gjithë qytetarët që kanë qenë në radhë kanë votuar”, u shpreh Elezi. /Telegrafi/

Exit mobile version