Telegrafi

Ende nuk dihen sesa janë borxhet e Trepçës

Rreth 1 miliard euro janë kërkesat e punëtoreve dhe të qeverisë së Kosovës ndaj Trepçës thonë zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi ka thënë për Telegrafin se afati për pretenduesit që u ka Trepça obligime ka përfunduar më 30 dhjetor të vitit 2013.

“Nga aplikacionet e përgjithshme të pranuara, kërkesat pretenduese të punëtorëve të ndërmarrjes Trepça dhe të Qeverisë së Kosovës përbëjnë shumën më të madhe të kërkesave të parashtruara në shumën rreth 1 miliard euro”, tha Kaloshi.

Gjatë afateve ligjore, në AKP, në cilësinë e administratorit, kanë ardhur dhe janë regjistruar aplikacionet me kërkesat e parashtruara nga pretenduesit kreditorë.

“Aktualisht kërkesat e parashtruara janë vetëm pretendime, ndërkaq vërtetimi i pretendimeve kalon nëpër proces gjyqësor pas kalkulimit të bërë nga administratori në këtë rast AKP-ja. Pra, kërkesat e pretenduesve kreditorë akoma nuk janë shqyrtuar, prandaj është herët të flasim me shifra për kreditorë dhe për obligime, apo borxhe ndaj tyre”, tha Kaloshi.

Ndryshe, pretendime ndaj Trepçës ka edhe Qeveria e Serbisë si dhe institucione tjera financiare, të cilat mund të shkojnë deri në 1.4 miliard euro, por pa u verifikuar nga Gjykata, ato nuk mund të jenë të sakta.

Por dëmet e shkaktuara ndaj punëtorëve janë dëme nga masat e dhunshme të Serbisë, që në fakt duhet të kompensohen nga dëmtuesi.

E, në nenin 159 të paragrafit 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është përcaktuar se të gjitha interesat në pronësi shoqërore, në prona dhe ndërmarrje në Kosovë, do të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu në nenin 5 të ligjit të AKP-së është përcaktuar në mënyrë shprehimore se Agjencia është e autorizuar të administrojë me ndërmarrjet me pronësi shoqërore në vendin tonë, si dhe me asetet e tyre, pa marrë parasysh se a gjenden brenda apo jashtë territorit të Kosovës.

“AKP është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me Ligjin Nr. 04/L-034, si institucion i pavarur publik dhe ka mandat ligjor të administroj dhe privatizoj ose likuidoj me kohë ndërmarrjet në pronësi shoqërore. “Trepça është përfshirë në procesin e riorganizimit, bazuar në Ligjin për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së Tyre dhe ligjeve tjera të aplikueshme dhe në fuqi, dhe ky proces është i Mbikqyrur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme”. /Telegrafi/