Site icon Telegrafi

Ende asnjë ndihmë nga Kosova për të zhvendosurit nga lufta në Ukrainë

Me gjithë thirrjet e disa organizatave humanitare në rrjetet sociale, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka grumbulluar asnjë ndihmë për popullatën e zhvendosur nga lufta në Ukrainë.

Në tri javët e para të luftës, numri i refugjatëve që kanë ikur nga Ukraina ka kaluar tre milionëshin.

Pjesa më e madhe e tyre është vendosur në Poloni dhe vende të tjera fqinje të Ukrainës, por disa dhjetëra kanë arritur tashmë edhe në vende të Ballkanit Perëndimor, si Serbi, Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Kosova ka shprehur, po ashtu, gatishmëri për pranimin e 5,000 refugjatëve.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë më 9 mars se Qeveria është duke shqyrtuar mundësinë e krijimit të një fondi, për t’iu dalë në ndihmë atyre që ikin nga dhuna në Ukrainë.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë për më shumë detaje rreth krijimit të fondit, MPJD-ja nuk është përgjigjur.

Nga shoqata humanitare “Nëna Terezë” në Kosovë thonë se janë në pritje të krijimit të këtij fondi, në mënyrë që më pas të nisin aksionin për mbledhjen e ndihmave.

“Ne ende nuk e kemi shpallur këtë aksion, sepse pres që të zyrtarizohet kjo iniciativë. Më pas të dal publikisht dhe të kërkoj ndihmë nga prodhuesit vendorë për të ndihmuar në këtë drejtim… Por, edhe qytetarët të japin, qoftë produkte ushqimore, apo materiale të tjera të nevojshme”, thotë kryetari i shoqatës “Nëna Terezë”, Zef Shala.

Kryqi i Kuq i Kosovës ka publikuar një llogari bankare në mediat sociale, duke iu bërë thirrje qytetarëve që të ofrojnë ndihmë financiare për ukrainasit e zhvendosur.

“Kemi preferuar që ndihmat të jenë në mënyrë financiare, në mënyrë që ato të transferohen më pas drejtpërdrejt në llogarinë bankare të Kryqit të Kuq të Ukrainës”, thotë Armend Shala, zyrtar për marrëdhënie me publikun në këtë organizatë.

Edhe pse llogaria bankare ka disa ditë që është publike, aty nuk është transferuar ende asnjë mjet.

Thirrje për të ndihmuar refugjatët ukrainas ka bërë edhe organizata tjetër humanitare “Caritas Kosova”, në koordinim me organizatën simotër “Caritas Europe”.

Kjo organizatë ka bërë thirrje nga rrjetet sociale që të dhurohen para dhe ushqime.

Drejtori ekzekutiv i saj, Alfred Pjetri, thotë se, deri më tash, nuk është grumbulluar asnjë mjet financiar dhe asnjë pako ushqimore.

Pavarësisht kësaj, disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë thonë se janë të gatshëm të ndihmojnë dhe strehojnë refugjatë nga Ukraina, nëse ata do të vinin në Kosovë.

Hajrije Muçiqi, pensioniste, thotë se ka shtëpinë në qendër të qytetit dhe se është e gatshme ta ndajë me të zhvendosurit nga lufta.

“Për 3-4 persona ka hapësirë në shtëpinë tonë. Çka të hamë për vete, do ta ndajmë me ta”, thotë Hajrija.

Bashkëshorti i saj, Sylejmani, thotë se nuk i ka parë thirrjet e organizatave humanitare për grumbullimin e ndihmave për refugjatë.

“Ne vetë e kemi përjetuar luftën, shpërnguljen dhe e dimë se sa janë të nevojshme ndihmat. Unë mund të përgatis pako me ushqime, veshmbathje, mallra higjienike. Por, deri më tani, nuk ka ndonjë lëvizje nga shoqatat humanitare”, thotë ai.

E gatshme për tí ndihmuar refugjatët ukrainas shprehet edhe mësimdhënësja Nexhmije Bojaj.

“Patjetër, patjetër një pako ushqimore, ndihmë financiare, sa kemi mundësi”, thotë ajo.

Ndryshe nga Kosova, në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë mësohet se janë grumbulluar disa sasi ndihmash për refugjatët ukrainas, përfshirë: ushqime, veshmbathje, mjete higjienike, medikamente dhe donacione monetare.

Kryqi i Kuq në Shqipëri, për dhjetë ditë me radhë, ka mbledhur fonde në sheshe e rrugë të qyteteve për ukrainasit e zhvendosur.

Në Bosnje e Hercegovinë, disa organizata kanë nisur një aksion me operatorët telefonikë, ku me një thirrje telefonike në një numër të caktuar, një euro ndahet për qytetarët e Ukrainës.

Në Mal të Zi, përveç dhurimit të produkteve ushqimore, higjienike dhe rrobave, është organizuar edhe dhurimi vullnetar i gjakut për nevojat e spitaleve në Ukrainë.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) në Kroaci ka ftuar qytetarët të japin donacione për fëmijët e Ukrainës.

Në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut, përmes Kryqit të Kuq dhe organizatave të tjera, janë grumbulluar ushqime, veshmbathje dhe medikamente. /rel/

Exit mobile version