Ish kryeministri Zoran Zaev lëviz nga qëndrimi për joligjshmërinë e procesit për ndryshimin e emrit të shkollave të Çair. Një ditë pasi Zaev e quajti procedurën joligjore, thotë se është konstatuar ligjshmëria e saj.
“Pas analizës thelbësore, ekipet juridike kanë konstatuar dhe më informuan se ndryshimi i emrit të shkollave është në pajtim me nenin 26 nga Ligji për arsim fillor. Sapo këshilli i shkollës ka sjellë vendim për ndryshimin e Statutit të shkollës me të cilin ndryshohet emrit i shkollës dhe shtohet emri kushtetues i shtetit, ajo është verifikuar edhe nga ana e Këshillit të Komunës së Çairit. Shumica e Badenterit nuk ka qenë e nevojshme”-tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Kreu i opozitës Hristijan Mickoski vlerëson se procedura e ndryshimit të emrit të shkollave është e jashtligjshme dhe nuk guxon të jetë primare, para përmirësimit të kushteve në shkolla.
“Kjo është bërë në mënyrë joligjore në të cilën janë dhunuar proceset e shtetit. Kjo ndodh në periudhë parazgjedhore kur publiku dhe qytetarët janë të sensibilizuar. Absolutisht nuk e shoh të arsyeshme që këto gjëra të bëhen tani. Unë nuk mundem të komentoj emrat por komentoj procedurën. Nuk mund të jetë më i rëndësishëm ndryshimi i emrave si Ministri e Arsimit dhe të mos u shkojë ndërmend se duhet të riparohet gjimnazi “Kiril Pejqinoviq” në Tetovë, të themi”-pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i OBRM-PDUKM.
Aleanca për Shqiptarët mbështet rimërimin e shkollave në Çair por thotë se është e padrejtë që ndryshimi vjen pikërisht para zgjedhjeve.
“Qesharake. Kjo është qesharake. BDI-ja është në pushtet 18 vjet dhe nuk i ndryshoi emrat e shkollave, duke i pasur të gjitha pushtetet. Tash një muaj para zgjedhjeve i ndryshojnë emrat e shkollave, që unë e përshëndes, është dashur këtë ta bëjnë shumë më herët dhe jo tani, dhe del partneri i koalicionit Zaev dhe thotë se janë të paligjshme… Mendoj se është shumë jokorrekte para popullatës të bëhen këto lojëra që i kanë bërë njësoj sikur që i bënin me VMRO-në”-tha Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët.
Dy ditë më parë, këshilltarët e LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së në Çair kishin votuar kundër ndryshimit të statutit të shkollave “Nikolla Vapcarov” dhe “Rajko Zhinzifov” dhe miratimin e statuteve me emrat e rinj, “Imri Elezi” dhe “Ismail Qemali”. Problemi me emrat e katër shkollave daton që nga viti 2010 dhe në vazhdimësi ato janë keqpërdorur nga partitë gjatë fushatave zgjedhore. Në vitin 2015, “Jane Sandasnki” u riemërua në “Jashar Bej Shkupi” dhe “Cvetan Dimov” në “Hasan Prishtina”. Dy shkollat e tjera kishin mbetur me emrat e vjetër. Pavarësisht se tabelat ishin me emrat e rinj, i gjithë dokumentacioni si dhe dëftesat e nxënësve jepeshin me emrat e vjetër të shkollave.
https://www.youtube.com/watch?v=_39-K7zRjRM&feature=emb_title