Site icon Telegrafi

Emmanuel Macron u fut në dhomën e zhveshjes së Marokut pas fitores së Francës dhe zbulon mesfushorin më të mirë të Kupës së Botës

Franca ka marrë një fitore të madhe 2-0 ndaj Marokut, edhe pse kjo fitore erdhi me shumë vuajtje.

Kombëtarja afrikane bëri një ndeshje të madhe duke rrezikuar në disa raste francezët, të cilët megjithatë arritën të mbronin epërsinë.

Kësisoj me fitoren ndaj Marokut, Franca shkon për herë të dytë radhazi në finalen e Kupës së Botës.

E në këtë ndeshje gjysmëfinale, futbollistët e Francës kishin një tifoz të veçantë, pasi në shkallet e stadiumit ishte edhe presidenti francez Emmanuel Macron.

I pari i shtetit evropian zbriti pas fushës në dhomat e zhveshjes, duke i uruar dhe falënderuar futbollistët e Kombëtares së tij për paraqitjen dhe kalimin në finale.

Macron u fut edhe në dhomën e zhveshjes së Marokut, për t’i përgëzuar të gjithë lojtarët, stafin dhe drejtuesit e Federatës marokene për të arriturat në këtë Kupë të Botës.

Maroku u bë përfaqësuesja e parë afrikane që arrin në gjysmëfinale të një Kampionati Botëror.

Macron pati disa fjalë edhe për mesfushorin maroken Sofyan Amrabat, të cilin e ka cilësuar si më të mirin deri më tani në ‘Katar 2022’.

“Ke qenë mesfushori më i mirë i këtij Botërori”, i tha Macron mesfushorit maroken në zhveshtore, derisa Amrabat e falënderoi presidentin francez për këto fjalë. /Telegrafi/

Exit mobile version