Telegrafi

Emmanuel Adebayor zbulon se si ai ishte shumë afër vetëvrasjes: Bëra përgatitjet, piva krejt ujin – isha gati të vazhdoja

Ish ylli i Ligës Premier, Emmanuel Adebayor, ka zbuluar një gjë tronditëse, se sa afër ishte të vetëvritej kur ishte adoleshent.

Adebayor kishte një karrierë të suksesshme në futbollin anglez, që e arriti me Arsenalin, pastaj edhe me Manchester Cityn, Tottenhamin dhe Crystal Palacen.

Para se të bashkohej me Arsenalin, Adebayor luajti në Francë, duke u transferuar në Evropë nga Togo, si një i ri, në përpjekje për të përmbushur ëndrrën e tij që të bëhej futbollist i madh.

Tani në moshën 35-vjeçare, ai ka zbuluar se si presioni sa ishte te Metz e kishte bërë të konsideronte vetëvrasjen.

Duke folur për Daily Mail , ai tha: “Isha 16 vjeç. Gjithçka që dëshiroja të bëja ishte ta ndihmoja familjen time, por ata më vunë në presion të madh. Unë nuk mund ta përballoja”.

Lexo po ashtu Momenti kur Jose Mourinho 'vrau' me kritika Cristiano Ronaldon pavarësisht se kishte shënuar het-trik: Adebayor zbulon gjithçka për portugezin gjatë kohës në Real Madrid

“Në Metz unë merrja ndoshta 3,000 funte në muaj. Familja ime më kërkoi një shtëpi në vlerë 500,000 funte. Klubi ishte i lodhur prej meje për shkak të sjelljes sime”.

“Mbaj mend i ulur në shtratin tim një natë dhe mendoja:”Çfarë po bëj këtu? Askush nuk është i kënaqur me mua, pra cili ishte qëllimi i jetesës?”.

“Kishte një farmaci nën apartamentin tim, bleva disa pako me tableta”.

“Ata nuk deshën të mi shisnin, por unë thashë se ishin për një bamirësi në Togo. I bëra përgatitjet, piva të gjithë ujin. Isha gati të vazhdoja”.

“Pastaj thirra mikun tim më të mirë në mesnatë. Ai më tha të mos nxitoj, se kam gjëra për të jetuar”.

“Por ai më çliroi nga momenti, mendova se Perëndia më mbante në jetë për diçka”, rrëfen sulmuesi. /Telegrafi/