Site icon Telegrafi

Emini: Askush nuk ka pritur progres në dialog, për BE-në mjaftojnë të takohen palët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, zhvilluan takimin e dytë të hënën në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyjave vendeve, por, pa ndonjë pajtim.

Njohësja e Integrimeve Evropiane, Donika Emini tha në “Debat Plus” se askush nuk ka pritur se do të ketë ndonjë përparim në këtë takim.

“Ka qenë e mjaftueshme për BE-në që palët të jenë atje për të dialoguar. Nuk ka gjasa të nënshkruhet asnjë marrëveshje nga Vuçiqi para se të mbahen zgjedhjet në Serbi…Për Serbinë ky takim ka qenë i mirë pasi e mban hapur Kapitullin 35 me BE-në. Kosova po përpiqet ta gjuaj topin te Serbia pasi deri më tani ne kemi qenë pala destruktive”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

“Kurti nuk e ka bërë atë që të gjithë e kanë pritur. Ai po shkon por qëllimisht po zgjedh temat që më së shumti kërkojnë kohë. Të pagjeturit dhe ballafaqimi me të kaluarën janë procese që zgjasin shumë dhe qëllimisht janë vënë përpara nga Kurti si barrikadë dhe ka krijuar një pozicion për Kosovën që nuk është i keq. Edhe pse nuk ka kushte për dialog është mirë që ka shkua në dialog”.

Emini thotë se për Vuçiqin po shihet se Kurti është palë e papërshtatshme.

“Edhe BE flitet që është duke u përpjekur që të arrijë ndonjë marrëveshje të vogël sepse e ka të qartë se marrëveshje të madhe është vështirë për të arritur”.

Ajo thotë se tema e ballafaqimit me të kaluarën është legjitime që është propozuar nga ana e Kurtit, por sipas saj qëllimi nuk duket se është bash i tillë.

“Kurti qëllim të veçantë e ka të mos zhvillohet procesi i dialogut pasi duket se nuk është i përgatitur. Është më irrituese se Kurti është e dyta herë që po shkon në Bruksel pa konsultim me opozitën e ekipin e dialogut”, deklaroi ndër të tjera Donika Emini./Telegrafi/


Exit mobile version