Telegrafi

Emigrantit polak i kushtoi shtrenjtë pyetja në Londër, u kërkoi t’ia tregojnë rrugën për në stacionin e metrosë – rrahet brutalisht

Një emigrant nga Polonia është rrahur brutalisht pak momente pasi kishte arritur në Londër.

Pasi që kishte dalë nga treni në stacionin Victoria, 31-vjeçari tha se e kanë rrahur disa persona pa ndonjë arsye, nga të cilët kërkoi ndihmë që t’i tregojnë rrugën, transmeton Telegrafi.

Kamil Sobala, që më herët kishte jetuar në Londër, është rrëzuar në tokë disa herë pasi goditej vazhdimisht me grushta në fytyrë.

Sulmi ka ndodhur në rrugën Elizabeth, e ekziston një video e realizuar me telefon që e ka bërë një grua brenda një kafiterie, që më pas i kishte telefonuar policisë dhe ndihmës së shpejtë.

Sobala tha “është i tmerruar me sulmin brutal”, madje aq shumë është frikësuar sa që tani po heziton të shkojë në dyqan dhe assesi nuk po mund të flejë.

“Planifikoja të takohesha me miqtë dhe kalova pranë një kafiterie për të kërkuar ndihmë, pasi telefoni më kishte mbetur pa bateri. Doja të dija se ku mund ta mbushja telefonin dhe ku gjendet stacioni i metrosë. U kërkova ndihmë, por ata në vend se të thonë ‘më fal nuk mund të ndihmojmë’ më rrahën. Më pyetën prej nga jam dhe u thash se jam nga Polonia”, tregon Sobala rrëfimin.

“Më dhemb shpina, fytyra. Është e qartë se sulmi kishte motive raciste, pasi më sulmuan vetëm atëherë kur u tregova se jam nga Polonia”, shtoi Sobala.

Videoja e sulmit po qarkullon në rrjetet sociale, dhe shihet qartë sesia disa burra godasin Kamilin derisa qëndron i shtrirë.

“Një grua e publikoi videon dhe i telefonoi ndihmës së shpejtë. Dua të falënderojë të gjithë që më kanë ndihmuar. Falë kësaj videoja, shpresoj që sulmuesit do të kapen”, tha për fund ai.

Ka kritika të shumta edhe në llogari të policisë që nuk kanë reaguar në kohë, kurse deri më tani askush nuk është arrestuar – pavarësisht se hetimet po vazhdojnë. /Telegrafi/