Qëllimi i Google për të reduktuar gjurmët klimatike është në rrezik pasi mbështetet në gjithnjë e më shumë qendra të dhënash “të uritura” për energji për të fuqizuar produktet e reja me Al.
Gjiganti i teknologjisë zbuloi së fundmi se emetimet e tij të gazit serrë janë rritur me 48 për qind gjatë pesë viteve të fundit.
Google tha se konsumi i energjisë elektrike nga qendrat e të dhënave dhe emetimet e zinxhirit të furnizimit ishin shkaku kryesor i rritjes.
Gjithashtu, kompania zbuloi në raportin vjetor mjedisor se emetimet në vitin 2023 ishin rritur për 13 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 14.3 milionë tonë metrikë, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Kompania e teknologjisë, e cila ka investuar në mënyrë të konsiderueshme në AI, tha se qëllimi i saj “jashtëzakonisht ambicioz” për të arritur emetimet neto zero deri në vitin 2030 “nuk do të jetë i lehtë”.
Kjo pasi “pasiguria” rreth arritjes së objektivit përfshin “pasigurinë rreth ndikimit të ardhshëm mjedisor të AI, i cili është kompleks dhe i vështirë për t’u parashikuar”.
Bëhet e ditur se emetimet e Google janë rritur me gati 50 për qind që nga viti 2019, viti bazë për qëllimin e Google për të arritur zero neto.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se konsumi total i energjisë elektrike i qendrave të të dhënave mund të dyfishohet nga nivelet e vitit 2022 në 1000 TWh në vitin 2026.
Ndryshe, qendrat e të dhënave luajnë një rol vendimtar në trajnimin dhe funksionimin e modeleve që mbështesin AI si Gemini i Google dhe GPT-4 i OpenAI, i cili fuqizon chatbotin ChatGPT.
Microsoft pranoi këtë vit se përdorimi i energjisë në lidhje me qendrat e tij të të dhënave po rrezikonte objektivin e tij “moonshot” për të qenë negativ i karbonit deri në vitin 2030.
Ndërkohë, bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, tha se AI do të ndihmojë në luftimin e krizës klimatike, sepse teknologjia e madhe është “seriozisht e gatshme” të paguajë ekstra për të përdorur burime të pastra të energjisë elektrike në mënyrë që “të thotë se po përdorin energjinë e gjelbër”. /Telegrafi/