Trajneri i Paris Saint-Germain, Unai Emery ka treguar se Kylian Mbappe shpresonte të nënshkruante me Real Madridin ose Barcelonën në vend të PSG-së.
Mbappe ka qenë vendimtar në dominimin e brendshëm të PSG-së në këtë sezon, duke shënuar 21 gola në të gjitha garat që kur nënshkroi një marrëveshje fillestare të huazimit me qëllim të transferimit të përhershëm nga Monaco.
Megjithatë, Emery, i cili do t’i japë fund punës së tij dyvjeçare te PSG në fund të sezonit – i nxitur nga paraqitjet e Mbappe, ka zbuluar se 19-vjeçari në fillim nuk ka preferuar një lëvizje në Paris.
Sipas Emeryt, Mbappe dëshironte kalimin te njëri nga gjigantët spanjoll, Reali ose Barça, por ishte ai dhe drejtuesit parisien që e bindën të qëndrojë në Ligue 1.
“Kur takova të atin dhe lojtarin, në shtëpi, lojtari donte të shkonte në Madrid ose Barcelona dhe ishte klubi dhe unë që i thamë atij se duhej të ishte në Francë”, ka thënë fillimisht Emery për SFR Sports.
“Historikisht, ky lloj i lojtarit francez, i cili ishte vetëm 18 vjeç dhe filloi të shfaqej, po largohej nga Franca dhe si një francez, duhet të kesh krenari që të kesh Mbappe në PSG”.
“Francezët duhet të jenë të lumtur që ai qëndroi në Francë”.
“Sepse përpara lojtarët si ai, si [Thierry] Henry, shkoi në Angli apo Spanjë”, përfundoi trajneri spanjoll. /Telegrafi/