Ish-trajneri i Paris Saint-Germain, Unai Emery e ka pranuar se dëshiron të shohë Kylian Mbappe në kampionatin spanjoll, La Liga.
Emri i yllit francez është njëri nga më të përfolurit në këtë afat kalimtar rreth një transferimi te Real Madridi.
Transferimin në La Liga e ka përkrahur edhe ish-trajneri i tij te PSG, Emery, i cili beson se Mbappe do të bëhej më i miri në botë.
“Kur isha në PSG, unë mbroja logjikisht faktin e të pasurit lojtarët më të mirë”, ka thënë fillimisht Emery për Efe.
“Mbappe është francez dhe ai duhet të mbrojë Francën dhe PSG-në. Atje, ai ka mundësinë për të fituar Ligën e Kampionëve dhe mendoj se është në vendin e duhur”.
“Por tani, unë shikoj futbollin në përgjithësi dhe duke qenë në Spanjë, do të doja ta shihja Mbappen në La Liga”.
“Ai mund të jetë lojtari më i mirë në botë dhe mendoj se ai mund ta bëjë atë”.
“Nëse ai vjen në një ekip të madh spanjoll, ai mund ta bëjë atë”, përfundoi trajneri spanjoll. /Telegrafi/