Site icon Telegrafi

Emërohen anëtarët e rinj të Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, deputetja e LDK-së thotë se janë gruaja e Liburn Aliut dhe nipi i Besnik Bislimit

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës janë emëruar anëtarët e rinj të Bordit të KOSTT-it.

Si anëtarë të rinj janë emëruar Lumnije Zeka dhe Gëzim Tosuni, të cilët janë emëruar si anëtarë të Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it. Anëtare është emëruar edhe Rejhane Zylfiaj.

Rejhane Zylfiaj mori 57 vota, Gëzim Tosuni mori 58 vota, e Lumnije Zeka 55 vota.

Meqë Tosuni kishte më së shumti vota, ai u zgjodh edhe Kryesues i Bordit të Drejtorëve. Mandati i tyre është 4-vjeçar.

“Pra drejtorë të Bordit të KOSTT zgjedhën Rejhane Zylfiaj, Gëzim Tosuni dhe Lumnije Zeka. Kurse me 58 vota Tosuni zgjedhet kryesues i Bordit të KOSTT-it”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Emërimi i këtyre anëtareve ka nxitur reagimin e opozitës të cilët nuk ishin prezent në seancë kur u votuan.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka shkruar se anëtarët e rinj të Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it kanë lidhje familjare me ministrin Liburn Aliu, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

“Kur të bohet dikush ministër a deputet duhet me shku veq ai person, e jo me shku me krejt fisin aty” deklaronte me cinizëm Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore. Vetëm ditët e fundit u punësuan: Gruaja e Liburn Aliut, Nipi i Besnik Bislimit dhe Çika e Shpejtim Bulliqit Albin Kurti a je Kryeministër apo ke dezertu? Ndryshimi po vjen, me 9 shkurt”, ka shkruar Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version