Site icon Telegrafi

Emërimi i Ujmanit “Liqeni Trump”, Hoti thotë se ishte ide e Grenellit

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka folur sot edhe për idenë që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni Trump.

Hoti në pyetjet e gazetarëve pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës tha se ka qenë kërkesë në Shtëpinë e Bardhë, por edhe në takimet në Kosovë me ambasadorin Richard Grenell që liqeni të emërohet si Liqeni Trump, në shenjë respekti për angazhimin e drejtpërdrejt të presidentit amerikan në dialogun Kosovë-Serbi.

“Ka qenë kërkesë edhe në Shtëpinë e Bardhë, duke qenë se ka këndvështrime të ndryshme, e edhe në takimet këtu nga ambasadori Grenell që në shenjë respekti për angazhimin e drejtpërdrejtë të presidentit Trump të emërohet ky liqen si liqeni ‘Trump’”, tha kryeministri.

Sipas tij, është shprehje e vullnetit të mirë që këtë të marrin parasysh si shenjë respekti për angazhimin e presidentit Trump, raporton Telegrafi.

Lexo po ashtu Grenell: Kosova dhe Serbia janë pajtuar që Ujmani të quhet "Liqeni Trump"

Ndryshe, i dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte thënë se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që Liqeni i Ujmanit, të quhet “Liqeni Trump”.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Twitter.

“Ajo se si të quhet liqeni që gjendet në Kosovë dhe Serbi, ka qenë një pikë serioze pavarësisht kompromisit për studim të fizibilitetit për të krijuar vende pune dhe më shumë energji për rajonin… kështu që të dyja palët kanë rënë dakord për një emër të ri: Liqeni Trump”, ka thënë Grenell.

Pak ditë pas takimi të Washingtonit, Grenell ka treguar se si e propozoi me shaka që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni Trump.

Grenell, gjatë një interviste për një radio amerikane ka shpalosur detaje të negociatave që kulmuan me marrëveshjen e Uashingtonit, duke pretenduar se mospajtimet Kosovë-Serbi rreth Ujmanit kishin të bënin me emrin e Liqenit.

“Shkaku është se kosovarët thoshin se duhet të quhet ashtu si e quanin ata, e serbët sipas emrit të tyre. E unë propozova të quhet sipas emërimit të Kosovës/ Serbisë. Kështu i zemërova dyja palët”, ka thënë ai. /Telegrafi/

 

Exit mobile version