Në prag të koncertit që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve pas pak ditësh, tre musketierët; Elton Deda, Aleksandër Gjoka dhe Redon Makashi, janë ftuar sot në “Rudina” për të dhënë më shumë detaje për këtë recital që e ëndërronin prej vitesh.
Tani që provat po shkojnë drejt fundit dhe gjithҫka po merr formën përfundimtare, me gjithë vitet e gjata në skenë, ata janë të emocionuar. Dhe nuk janë të vetmit…. edhe familjarët e tyre.
Me përgjegjësinë e drejtorit artistik, Eltoni ka edhe peshën më të madhe për koncertin e 15 majit. Siҫ tregon ai, provat me orkestrën dhe me ҫunat po shkojnë shumë mirë, megjithatë emocionet kanë qenë e janë gjithmonë shoqëruese në jetën e artistit. Dhe sado të jesh në gjendje t’i kontrollosh, para mesazhit të nënës, është e pamundur.
Kështu, për t’i uruar suksese në këtë recital, këtë pasdite në “Rudina” ishte edhe nëna e Elton Dedës, e cila, siҫ tregon kantautori, është njëlloj e emocionuar sa edhe ai, por përpiqet t’i japë shumë kurajë të birit: “Mami ka jetuar gjithë jetën me një gjeni si Ferdinand Deda dhe e njeh shumë mirë këtë pjesë. Unë nuk jam gjeni si im atë, por ajo e di shumë mirë se ҫ’do të thotë të bësh muzikë. Megjithatë, më ka lënë shumë të qetë e më thotë vazhdimisht “mos u streso, se do bëhet kjo, do bëhet edhe kjo, mos u lodh.” Edhe ajo mezi po e pret koncertin, por nuk e jep veten…” – tregon Toni për të ëmën.
E ndërkohë, në ekran, bashkë me ca foto me të birin, si një rock-ere e vërtetë, nëna e Eltonit shfaqet për të dhënë mesazhin e saj: “Jam shumë e lumtur për djemtë që ia arritën të bëjnë një koncert të të mirëfilltë. Ju plotësoni njëri-tjetrin dhe keni lënë gjurmë në muzikën shqiptare. Jam shumë krenare për Eltonin dhe shumë e kënaqur me të. Ai është i lindur për muzikë dhe bën muzikë të mirëfilltë. Uroj të mos lodhet shumë dhe të mos impresionohet. Unë jam shumë e emocionuar dhe do të jem e emocionuar deri në fund…” – tha nëna e Eltonit në mesazhin e saj.
Si nënat, ka merak për të birin, por edhe për miqtë e tij, edhe pse e di mjaft mirë që e gjithë jeta në skenë nuk ia shuan askujt drithërimat në zemër para publikut. Me gjithë sigurinë absolute dhe profesionalizmin./ Class/