Radio Televizioni Publik Shqiptar, në kuadrin e Festivalit të 54-të në RTSH, ne një spot televiziv ka ftuar këngëtarët, kompozitorët, autorët e tekste (krijuesit dhe interpretuesit), për t’u bërë pjesë e ngjarjes muzikore më të rëndësishme, e cila sipas traditës, organizohet në çdo fundviti, ashtu si në vitin e largët 1962 kur kënga e lehtë shqiptare nisi rrugën e saj në Radio Tirana.
Në edicionin e 54-t të Festivalit, i cili është edhe trampolina e Eurosongut, organizatorët ia kanë besuar detyrën e Drejtorit Artistik të Festivalit kantautorit dhe muzikantit mjaft të njohur dhe të dashur nga publiku, Elton Deda, tranmseton java.
Këtë lajm e ka bëre me dije vetë Eltoni, i cili me anën e një statusi në adresën e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, e ka ndarë me të gjithë miqtë e simpatizantët e tij të shumtë, të cilët nuk kanë ngurruar ta shprehin pëlqimin lidhur me rolin e ri të tij nën drejtimin e eventit më të rëndësishëm të muzikës në vend.
“Të dashur miq e kolege. Dua t’ju njoftoj se sivjet unë do të jem Drejtor Artistik i Festivalit të Radio Televizionit Publik Shqiptar!”.
“Sinqerisht e kam marrë si një sfidë dhe angazhim të madh profesional dhe së bashku me kontributin dhe mbështetjen tuaj do mundohem të jap maksimumin për të bërë një festival model dhe pa preferenca miqsh”
“Nuk kam qenë dhe nuk do jem kurrë vegël e asnjë ndërhyrjeje apo miklimi monetar e shoqëror, përveçse skllavi i përjetshëm i muzikës së mirë e të ndershme. Sinqerisht, Ton Deda”, shkruan Elton Deda.
Elton Deda, djali i mjeshtrit dhe kompozitorit të madh, Ferdinand Deda, është edhe risia dhe surpriza e parë e edicionit të 54-t të Festivalit të Këngës në RTSH, festival, i cili në edicionin e kaluar u fitua nga këngëtarja e re e dhe e talentuar, Elhaida Dani, me këngën “Diell”, me muzikë nga Aldo Shllaku dhe tekstin e Viola Trebicka dhe Sokol Marsi.