Site icon Telegrafi

Elon Musk shpërndan lajme të rreme rreth Britanisë së Madhe

Elon Musk ka shpërndarë një lajm të rremë që supozohet se është publikuar nga mediumi britanik, The Telegraph se kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer po konsideron dërgimin e protestuesve të ekstremit të djathtë në kampe speciale në Ishujt Falkland.

Miliarderi e fshiu postimin pas rreth 30 minutash, por ai ishte shikuar gati dy milionë herë.

Në artikullin e rremë shkruante se të arrestuarit e trazirave do të dërgohen në kampe në Ishujt Falkland sepse burgjet britanike janë plot me të dënuar.

The Telegraph dokumentoi se nuk e ka publikuar artikullin në fjalë. “Ky është një titull i trilluar i artikullit që nuk ekziston. Ne kemi njoftuar platformat përkatëse dhe kemi kërkuar që të hiqet postimi”, tha një zëdhënës i Grupit Mediatik Telegraph, shkruan theguardian.

Musk nuk kërkoi falje për postimin e lajmeve të rreme dhe vazhdoi të publikonte mesazhe dhe video në platformën X duke kritikuar reagimin e qeverisë britanike ndaj trazirave aktuale.

Gjegjësisht, ai ka acaruar marrëdhëniet me liderin dhe autoritetet britanike pasi komentonte vazhdimisht protestat duke deklaruar se “lufta civile është e pashmangshme” dhe se përgjigja e policisë ishte e njëanshme.

Musk, bashkëthemeluesi miliarder i Tesla, SpaceX dhe platformës së pagesave X.com, e cila më vonë u quajt PayPal, bleu Twitter në vitin 2022 për 44 miliardë dollarë. Vitin e kaluar, ajo ndryshoi emrin e saj në X.

Këtë javë, ajo njoftoi se do të padisë një grup reklamuesish dhe kompanish të mëdha, sepse, sipas saj, ata në mënyrë të paligjshme ranë dakord të mos reklamonin në X. /Telegrafi/

Exit mobile version