Site icon Telegrafi

Elon Musk papritmas heq dorë nga padia kundër OpenAI

Elon Musk ka kërkuar papritur nga një gjykatë në Kaliforni të tërheqë një çështje ligjore kundër OpenAI dhe shefit të saj Sam Altman – duke akuzuar kompaninë për një shkelje të kontratës dhe gjoja braktisjen e misionit të saj për krijimin e teknologjisë së AI në dobi të njerëzimit.

Deklarata e dorëzuar nga avokatët e multimiliarderit kërkon që çështja prej muajsh të pushohet pa ofruar asnjë arsye për këtë lëvizje, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ajo erdhi vetëm një ditë përpara se gjykata të pritej të dëgjonte “ofertën” e zhvilluesit të ChatGPT për të pushuar çështjen.

BBC News thotë ka kontaktuar avokatin e Musk dhe OpenAI për koment.

Dosja e fundit kërkonte pushimin e çështjes “pa paragjykime”, që do të thotë se Musk mund ta riaktivizojë atë në një fazë të mëvonshme.

Lexo po ashtu Elon Musk kërcënon të ndalojë përdorimin e pajisjeve Apple në kompanitë e tij për shkak të partneritetit me OpenAI

Shefi i Tesla-s ngriti padi kundër OpenAI në fund të shkurtit të këtij viti, duke argumentuar se kompania që ai kishte ndihmuar të themelonte në 2015 kishte devijuar nga qëllimet e saj altruiste për t’u fokusuar në fitimin e parave.

OpenAI kundërshtoi këtë duke thënë se Musk kishte mbështetur më parë idenë e një strukture fitimprurëse dhe madje sugjeroi një bashkim me firmën e tij të makinave elektrike Tesla.

Dhe mosmarrëveshjet u intensifikuan në fillim të kësaj jave pasi Apple zbuloi një partneritet me OpenAI.

Pas njoftimit, Musk postoi disa mesazhe në platformën e tij të mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter, duke kritikuar marrëveshjen.

Një nga postimet përfundonte me fjalët: “Apple nuk e ka idenë se çfarë po ndodh në të vërtetë pasi t’i dorëzojë të dhënat tuaja OpenAI”.

Megjithatë, investitorët dukej se e mirëpritën lajmin, pasi vlera e tregut të aksioneve të Apple u rrit në një nivel rekord mbi 3 trilionë dollarë. /Telegrafi/

Exit mobile version