Sot ajo është deputete e Kuvendit të Kosovës, por gjegjësisht në publik Eliza Hoxha është më shumë e njohur si këngëtare dhe arkitekte.
Ajo është interpretuese e hiteve të shumta në vitet e pas-luftës, por që tash e sa vit ka stagnuar pak në karrierën muzikore.
E ftuar në emisionin “Verë n’Çarshi”, Eliza Hoxha, tha se pavarësisht që nuk është më aktive, gëzohet që këngët e saj lëshohen dhe dëgjohen edhe sot e kësaj dite.
“Këngët e mia ende lëshohen, këndohen dhe unë gëzohem për këtë punë. I këndojnë gjeneratat që kur e kam kënduar unë ata s’kanë qenë të lindur”, tha ajo.
Ajo gjithashtu është pyetur se nëse do të pranonte të bënte një duet me kryetarin e partisë së cilës i takon (PDK), Memli Krasniqin, pasi ky i fundit ka qenë duikur një reper i njohur i viteve 2000.
“Na veç e kemi ndërruar skenën. Memli i ka shkruar krejt këngët e teksteve të mia të albumit të parë dhe të dytit dhe dy tri këngë të albumit që s’është dalë. Ka pasë ardhur momenti kur më ka thënë se nuk mundet më të shkruajë se kishte angazhime në politikë dhe më pati lënë keq me të thënë të drejtën se e kam pasur edhe shok, ka qenë shumë lehtë me punu me Memlin, si në muzikë edhe këndej. I kemi kuptuar koordinatat. Mandej, unë prej zorit ia kam nisur të shkruajë vet”, ka thënë këngëtarja dhe arkitektja Hoxha në Kanal10.
Përndryshe, kënga e fundit që Eliza solli për publikun ishte “Peng”, e interpretuar në Festivalin e RTSh-së, dhjetorin e vitit 2018. /Telegrafi/