Jo të paktë janë emrat në estradën shqiptare që i kanë dhënë një kahje tjetër muzikës, dhe dashja pa dashje shpesh i kanë dhënë një imazh të keq.
E për këta pseudo-artistë, reperi i njohur Elinel ka vendosur t’u dedikojë një këngë, e cila ka përfunduar realizimin dhe do të jetë e gatshme në pak ditë.
Në një prononcim për Telegrafin, ai ka zbuluar detajet nga kënga e tij më e re.
“Kënga ime e re ‘Funerali’ është stil më vehete, nuk është ndonjë projekt që mundem me e krahasu me punët e mia të më hershme, me pak fjalë është një dimension krejt tjetër”, tha Elinel për Telegrafin.
I pyetur nëse kënga është një lloj revolte, reperi u shpreh duke treguar se nuk e cilëson si të tillë, pasi më shumë sipas tij është ngjarje reale e ditëve të sotme.
“Nuk do të thoja që është revoltë, është më shumë pasqyrë e asaj çka ndodh në skenën tonë muzikore, edhe në skenën e artit në përgjithësi”, tregoi tutje reperi.
I veçantë duket të jetë edhe klipi i këngës, për të cilin është punuar me mjaft përkushtim.
“Videoklipi është xhiruar në ambiente të mbyllura, shumë interesante janë efektet speciale dhe montazha e këtij klipi, i cili do të jetë i gatshëm për publikun më 5 shkurt”, the tutje Elinel për Telegrafin.
Një këngë me një temë të tillë mund të paramendohet se do të pritet me reagime, gjersa edhe për këtë pjesë reperi tha se është i sigurt që do të ketë.
“Nëse asgjë nuk merr, pa reagime ky projekt nuk do të mbesë, për këtë jam qind për qind i sigurt”, përfundoi reperi për Telegrafin.
Disa prej pamjeve vizuale të projektit “Funerali” mund t’i shihni si më poshtë. /Telegrafi/