Gazetarja e portalit Telegrafi, Elfije Boletini, është shpallur të enjten nga Shoqata e Gazetarëve të Mitrovicës (SHGM), gazetarja më e mirë për vitin 2018.
Organizata joqeveritare Community Building Mitrovica (CBM), Zyra për Informim pranë Komunës së Mitrovicës, si dhe Policia e Kosovës në Mitrovicë stacioni jug dhe veri, janë nderuar po ashtu me mirënjohje për bashkëpunim të suksesshëm.
Hysni Syla, kryetar i SHGM-së, ka thënë se Elfije Boletini ka qenë gazetarja më e mirë mitrovicase, e cila ka kontribuar që ngjarjet në lidhje me Mitrovicën, por edhe më gjerë, të pasqyrohen në mënyrën më reale.
Në anën tjetër, Boletini është shprehur e lumtur, duke thënë se çmimi i dhënë nga ana e Shoqatës së Gazetarëve është nder i madh që i bëhet një gazetari në fushën e gazetarisë.
“Çmimi që më është dhënë pa dyshim do të jetë inkurajim, shtytje, por edhe një motiv shtesë, që në të ardhmen të angazhohem dhe të punoj edhe më shumë”, ka thënë mes tjerash Boletini.
Ndarja e çmimeve vjetore të SHGM-së është bërë në një ceremoni dreke me pjesëmarrjen e shumë gazetarëve dhe të ftuarve të tjerë, ndërkohë që është mbështetur nga organizata CBM. /Telegrafi/