Një grup i rosave dhe ndoshta edhe i mjellmave, të shoqëruara nga pas nga një tufë e patave, lahen dhe kërkojnë ushqim në ujin e pastër të lumit. Brigjet e lumit janë të veshura me gjelbërim, sikur për ndonjë festë solemne.
Mbi lum, që është pjesa qendrore e fotografisë, qëndron një urë e drunjtë kurse mbi urë, mu në mes, përshëndetën dy veta. Në sfond, pamja e brigjeve të lumit vazhdon të përshkohet me simetrinë që krijojnë plepat në perspektivë.
Në anën a majtë të lumit një njeri vëzhgon ‘lojën’ e rosave dhe patave. Më pas, urën sapo e kanë kaluar dy apo tre veta. Pas tyre qëndron një ndërtesë e bukur dykatëshe dhe me ndërtim nënkulmi.
Kjo është një pamje idilike që ofron kjo fotografi e cila gjithsesi është meritë e fotografit anonim, por profesionist. Fotografia duhet të jete e viteve të ‘50-ta të shekullit të kaluar. Vendi: Ura e Maskatarit; Lumi: Mirusha; Qyteti: Gjilani.
Sikur ta kishim edhe një fotografi të pamjes së djathtë të lumit, në te do të shihnim Hotel Evropën që ishte një ndërtesë më e madhe dhe më e bukur se kjo që shihet në këtë fotografi. Përball Hotel Evropës qëndronte me mburrje një varg i ndërtesave dykatëshe. Të gjitha këto ndërtesa i jepnin vendit pamjen e një qyteti të Evropës qendrore (deri diku) ose më shumë të një qyteti të Evropës jug-lindore.
Asnjë nga këto ndërtesa më nuk ekzistojnë. Nuk ekziston as lumi e as ura. Nuk ka më as pata e rosa. Gjilani, sikur edhe shumë qytete tjera të Kosovës, më nuk ka pamje. Nuk ka fytyrë e as karakter.
Qytetet janë si njerëzit. Ose kanë karakter ose nuk kanë. Por, është edhe më brengosëse kur i ke patur këto karakteristike dhe i ke shkatërruar. Sot qytetet tona, sikur edhe njerëzit, nuk kanë pamje, konstrukt dhe karakter. Prandaj, këtë mungesë mundohen ta fshehin duke u ‘stolisur’ me rroba dhe duke u mbuluar me kozmetikë. /Telegrafi/