Ish-sulmuesi i Barcelonës, Patrick Kluivert, beson se asnjë ndeshje futbollistike nuk mund të krahasohet me El Clasicon mes Real Madridit dhe Barcelonës.
Holandezi për “Omnisport” ka kujtuar ndeshjet kundër Real Madridit në gjashtë sezonet e kaluara te Barcelona dhe thotë se ajo ndjenjë nuk mund të krahasohet me asnjë ndeshje tjetër.
“Këto ndeshje janë të mrekullueshme, nuk ka Clasico tjetër në botë. Kam luajtur në lojën Inter – Milan, por Barcelona – Madrid është lojë tjetër”, ka thënë ai, transmeton koha.net.
Kluivert thotë se është ndjenjë speciale të triumfosh në El Clasico, sidomos nëse ajo zhvillohet në Santiago Bernabeu.
Më 21 nëntor të këtij sezoni, Barcelona fitoi në Madrid me rezultat 4 me 0, ndërsa El Clasico e dytë zhvillohet më 2 prill në Camp Nou.