Barcelona dhe Real Madridi kanë luajtur baras, 1-1, në derbin më të madh botëror, ‘el Clasico’, që u zhvillua në Camp Nou.
Nikoqirët e mbajtën më shumë topin në gjysmën e parë, mirëpo Navas nuk pati shumë punë për të bërë. Në ndërkohë, vizitorët u treguan më të rrezikshëm duke bërë që Ter Stegen të bënte disa intervenime, megjithëse rastet konkrete munguan.
Asnjëra nga skuadrat nuk e gjeti rrjetën në fraksionin e parë, ndërkaq pati disa momente të dyshimta. Në minutat e para Lucas Vazquez u rrëzua në zonë nga Mascherano, mysafirët protestuan për penalti, por gjyqtari nuk mendoi kështu.
Pas pak minutash vendasit kërkuan penalti pasi mendonin se Sergio Ramos kishte prekur topin me dorë në zonë, gjithsesi gjyqtari nuk vendosi për njëmbëdhjetëmetërsh. Nuk mbaroi me kaq. Rreth minutës së 40-të pas një gjuajte të Jordi Albas, sipas vendasve, topi u prek me dorë në zonë nga Dani Carvajal, por gjyqtari edhe një herë nuk vendosi për penalti.
Vendasit e nisën më mirë fraksionin e dytë të lojës duke qenë më kërkues dhe ia dolën të shënonin. Pas një harkimi të Neymar nga gjuajtja e lirë, Luis Suarez kërceu më lart për të shënuar me kokë (53’).
Teksa kalonin minutat Los Blancos nuk dukeshin të fuqishëm që t’i ndryshonin gjërat, ndërkohë që Neymar dhe Lionel Messi kanë mundur ta vulosin fitoren po t’i konkretizonin rastet e tyre.
Mirëpo, angazhimi i të zgjedhurve të Zidane në minutat e fundit u shpagua. Luka Modric harkoi nga gjuajtja e lirë, ndërsa Sergio Ramos barazoi me kokë (90’).
Me këtë barazim, Real Madridi ruan diferencën prej gjashtë pikësh kundrejt Barcelonës në tabelën e La Ligas. /Telegrafi/