Site icon Telegrafi

El Clasico luhet sonte në Arabinë Saudite, Barcelona dhe Real Madridi në kërkim të trofeut të parë të vitit

Futbollistët e Real Madridit dhe Barcelonës do të luajnë sonte në stadiumin “King Abdullah” në Jeddah finalen e Superkupës së Spanjës, të cilën do ta drejtojë gjyqtari Jesus Gil Manzano.

Të mërkurën, Barcelona eliminoi Athletic Bilbaon me fitoren 2:0 në gjysmëfinale, ndërsa Reali mundi Mallorca 3:0.

Rekord me trofe  i kësaj gare është Barcelona me 14 tituj, ndërsa Reali ka vetëm një më pak dhe mund të barazojë me një fitore të mundshme sonte.

Këto dy skuadra tashmë janë takuar një herë këtë sezon kur Barcelona tronditi dhe fitoi 4:0 në xhiron e 11-të të La Ligës në Santiago Bernabeu.

Mirëpo, skuadra e Carlo Ancelottit u rikuperua ndërkohë dhe kaloi Barcelonën në kampionat, e cila hyri në krizë.

Meqë ra fjala, Reali ka avantazh në përballjet ndaj Barcelonës, pasi klubi Mbretëror ka 105 fitore kundrejt 101 fitoreve të katalanasve në garat zyrtare me 52 barazime.

Nuk ka probleme të reja në stafin e lojës së dy skuadrave dhe për këtë ndeshje do të garojë përfaqësuesi spanjoll Dani Olmo, i cili më në fund është regjistruar me sukses te Barcelona.

Sfida mes Realit dhe Barcelonës zhvillohet me fillim nga ora 20:00. /Telegrafi/ 

Exit mobile version