Site icon Telegrafi

Ekzekutohen disa nga pagesat për biznese dhe individë të Pakos Emergjente

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka njoftuar se gjatë të enjtes janë ekzekutuar edhe disa nga pagesat e Pakos Emergjente për biznese dhe individë.

Këtë e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, ku njoftoi po ashtu se janë ekzekutuar pagesat për masën 3a për persona fizik, pastaj subvencionimi i qirasë deri në 50 për qind.

Bajrami po ashtu njoftoi se janë në proces për tu finalizuar edhe një listë tjetër prej më shumë se 400 përfituesve që janë persona juridik, apo biznese.

“Sot Ministria e Financave ka ekzekutuar pagesat për masën 3a për 7241 përfitues (persona fizik) në shumë prej 1,230,970.00 EUR. Gjithashtu, kemi përfunduar ekzekutimin e pagesës për masën 3b-subvencionimi i qirasë deri 50%, për 4191 përfitues me shumë totale 1,354,601.81 EUR. Në proces të finalizimit është edhe një listë tjetër me gjithsej 454 përfitues (persona juridik – biznese) nga masa 3a me shumë totale 900,235.64 EUR”, shkruan Bajrami.

Lexo po ashtu Bajrami: Deri në fund të javës do të përfundojë verifikimi i kërkesave për Pakon Emergjente

Ndryshe, Bajrami kishte thënë se deri në fund të kësaj jave do të përfundoj procesi i verifikimit të kërkesave për kompensimin e masave nga Pakoja Emergjente Fiskale. /Telegrafi/

Exit mobile version