Telegrafi

Fushë Krujë: Vritet në banesë Gentjan Bejtja, u kishte shpëtuar tre atentateve më parë

Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e kësaj të premteje në Larushkë të Fushë Krujës.

Gentjan Bejtja u ekzekutua me armë zjarri në banesën e tij, si pasojë e një atentati.

42-vjeçari ndodhej brenda në serë, së bashku me bashkëshorten dhe njërin prej djemve, kur u vra.

Shefi i komisariatit të Fushë Krujës, Kreshnik Alimadhi ka folur lidhur me atentatin ku u ekzekutua ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja.

Alimadhi nuk dha informacione lidhur me personat e shoqëruar por theksoi se po kryhen veprimet e nevojshme hetimore për kapjen e autorëve të cilët pasi u arratisën dogjën makinën e përdorur brenda së cilës u gjetën të djegura edhe 4 armët kallashnikovë të përdorura.

“Në vendngjarje rezultoi se është vrarë me armë zjarri në banesën e tij shtetasi Gentjan Bejtja. Është formuar grupi hetimor që po merret me hetimet. Pas ngjarjes, në fshatin Hasan u gjend edhe automjeti i djegur që dyshohet të jetë i autorëve. Brenda automjetit janë gjetur 4 armë zjarri. Grupi hetimor po kryen të gjitha veprimet, nuk mund të jap detaje të tjera të hollësishme”– tha shefi i komisariatit.

Sipas të dhënave të deritanishme, në atentat dyshohet të kenë marrë pjesë 3 persona, të cilët qëlluan me breshëri plumbash ndaj viktimës.

Dyshimet e para janë se Bejtja i ka pikasur autorët dhe ka tentuar të largohet, pasi në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur shenja gjaku deri në pjesën e pasme.

42-vjeçari, person me precendentë të mëparshëm penalë, u kishte shpëtuar deri më tani 3 atentateve.

Më datë 4 Korrik të vitit 2023 atij iu bë një atentat, jashtë ambienteve të banesës. Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan L. Sino 29 vjeç, dhe u plagosën dy djemtë e Gentjan Bejtjas, Alvi G. Bejtja 13 vjeç dhe djali tjetër 10 vjeç.

Më 9 Janar të vitit 2022, Gentian Bejtja i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka që ishte me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Ngjarja mbetet e pazbuluar.

Gentjan Bejtja i shpëtoi po ashtu dhe një atentati me eksploziv të ndodhur në shtator të vitit 2016 kur në mjetit e tij një sasi eksplozivi shpërtheu dhe e plagosi atë.

Për atentatin e ndodhur më datë 4 Korrik të vitit 2023 policia dyshoi tek Valter Bami, ish-miku i viktimës për të cilin me gjithë kërkimet u ngrit vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje. Ky i fundit, qëndroi në burg për 6 muaj dhe u la i lirë me arrest shtëpie më datë 18 Janar 2024.

Gentjan Bejtja kërkohej nga policia për t’u marrë në pyetje për ngjarjen në fjalë.

Ndërkohë disa orë pas atentatit të sotëm, gazetarja Glidona Daci thotë se policia ka shoqëruar sërish Valter Bamin për t’u marrë në pyetje./Tv Klan