Telegrafi

Ekuadori pranoi gol duke luajtur me 10 lojtarë për katër minuta, pasi zëvendësuesi nuk po gjente fanellën për t’u inkuadruar në lojë

Kishte një qeshje kaotike në barazimin 1-1 të Ekuadorit me Perunë të mërkurën mbrëma, pasi mysafirët pranuan gol duke luajtur me 10 lojtarë për një periudhë në pjesën e dytë – pas mungesës së fanellës së një lojtari që priste të inkuadrohej.

Ekuadori kaloi në epërsi 1-0 në fillim përmes Michael Estrada, por një goditje nga Edison Flores në minutën e 69-të siguroi ndarjen e pikëve.

Goli u shënua gjatë një periudhe prej katër minutave ku Ekuadori ishte i ‘humbur’ pasi lojtari Ayrton Preciado pësoi një thyerje të këmbës dhe duhej të largohej nga loja me barelë.

Por Diego Palacios, njeriu që ishte gati për ta zëvendësuar, humbi fanellën e tij në stol dhe pati një vonesë të gjatë pasi stafi u përpoq me nxitim për ta gjetur atë.

Njeriu që përkujdeset për fanella u desh të kthehej në zhveshtore për të gjetur një fanellë, por Palacios, i cili luan për Los Angeles FC, me të vërtetë qëndroi në stol për plot 240 sekonda.

Ai përfundimisht hyri në ndeshje vetëm pasi ekipi i tij pranoi golin e barazimit, por për Ekuadorin ishte një mundësi e madhe e humbur pasi një fitore do t’i kishte siguruar biletën e tyre për Kupën e Botës “Katar 2022”.

 

Menaxheri Gustavo Alfaro u ankua për incidentin e kushtueshëm që çoi në barazimin me Perunë.

“Kishte një detaj, sepse kur Ayrton u dëmtua, doja të inkuadroja Palacios, fanella u zhduk dhe kjo është arsyeja pse ne nuk mundëm ta bënim ndryshimin”.

“Në atë moment kur ata sollën fanellën, gjyqtari tashmë e kishte vënë topin në lëvizje dhe neve na mungonte një lojtar dhe ja ku erdhi loja”, tha ai pas ndeshjes.

Ekuadori është aktualisht i treti në tabelën e Amerikës së Jugut, tre pikë përpara Uruguait të vendit të katërt.

Ata luajnë në udhëtim te Paraguai në ndeshjen e tyre të radhës në mars dhe do të kërkojnë të sigurojnë kualifikimin për në Katar. /Telegrafi/