Site icon Telegrafi

Ekspozohen trendet e fundit nga fusha e mjekësisë

Panairi Ndërkombëtar për Shëndetësi dhe Turizëm, në ditën e parë të saj arriti që të mbledh një numër të madh të të interesuarve rreth trendëve të fundit në fushën e mjekësisë, përmes ekspozimit të pajisjeve më të reja mjekësore dhe këmbimit të përvojave midis vet profesionistëve lidhur me tregun mjekësor, farmaceutik dhe atë të turizmit.

Panairi i organizuar është rezultat i bashkëpunimit midis kompanisë “Oscar Shpk” dhe partnerëve të saj vendor e ndërkombëtar, me qëllim që në të ekspozojnë së bashku numër sa më i madh i kompanive, subjekteve shëndetësore dhe të turizmit.

Me këtë rast ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani deklaroi që Kosova është larg asaj që duhet të jetë, por me punë do të arrihen ndryshimet e pritura në sferën e shëndetësisë.

“Ne ende jemi larg asaj që duhet të arrihet sepse mendojmë që në shëndetësi ka shumë punë të mira cilësore, shërbime të mira të cilat nuk po mund të promovohen dhe të dalin në sipërfaqe kështu që të thehet ajo tabuja sa përket përcepsionit që mjekësia kosovare është e dështume dhe që çdo gjë është keq”, tha Rrahmani.

Sipas tij, Ministria që drejton i ka vënë disa objektiva prioritare ku po punohet rreth krijimit të një raporti të ri për media dhe pacientë, e që me kalimin e kohës pret që të vërehen rezultatet pozitive të kthimit të besimit të qytetarëve në mjekësinë kosovare.

Hysen Sogojeva, zyrtar i Divizionit të Turizmit, i cili është nën ombrellën e Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë u shpreh i brengosur në lidhje me mungesën e zyrës informative për turistë.

“Prishtina është qendra ma e madhe e cila nuk ka zyre informative, e që është dashtë ta ketë që moti, jo që nuk ka zyre informative por nuk ka as zyrtar.. Me këtë promovimi ka mbet mbrapa por nuk është dëmtuar imazhi i turizmit. Ne mendojmë që prej shtatorit ose tetorit do të fillojmë me hapjen më masive të zyrave të turizmit të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e turizmit”, tha Sogojeva.

Panairi Ndërkombëtar për Shëndetësi dhe Turizëm do të mbahet nga data 28 maj deri më 30 maj dhe në të do të ekspozojnë kompani të ndryshme nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Sllovenia dhe vende tjera të rajonit. /Telegrafi/

Exit mobile version