Në kuadër të Tetorit Rozë, në qytetin e Gjilanit para disa dite është hapur ekspozita “Thirrëm edhe Mua”, e kuruar nga artistja, Jalldëze Mustafa.
Kjo ekspozitë po merr shtrirje më të gjerë, duke u zhvilluar kështu edhe në qytete tjera të Kosovës. Deri tani, ekspozita është mbajtur në qytetin e Gjilanit, Ferizajt dhe sot do të mbahen në atë të Vitisë, me fillim nga ora 15:00.
Mustafa tregon se koncepti “Thirrëm edhe Mua” ka një rëndësi të veçantë për të, ku thekson se shpesh e përdorim shprehjen thirrëm edhe mua për ta pirë një kafe, në ndërkohë që, sipas saj, duhet ta bëjmë shprehi dhe ta thërrasim njëra-tjetrën për kontrolle të thjeshta.
“Unë jam kuratore e ekspozitës ‘Thirrëm edhe Mua’. Ndoshta i duket dikujt shumë fjalë e thjeshtë, por për mua përfshin një koncept shumë të rëndësishëm, duke u nisur nga ajo se duhet të jetë sa më i kapshëm për çdo shtresë. ‘Thirrëm edhe mua’ më ka lind ideja kur ne e përdorim shprehjen; thirrëm edhe mua me pi një kafe, hej mos harro me më thirr me pi kafe dhe këtë thirrje për kafe, ta bëjmë shprehi dhe ta thërrasim njëra-tjetrën që të bëjmë kontroll,” shprehet kuratorja.
Ekspozita bashkoi artistë nga të gjitha trevat shqiptare, si nga Maqedonia, Shqipëria, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe artistë ndërkombëtarë nga Finlanda dhe Turqia, të cilët u bashkëngjitën me vullnetin më të mirë për këtë kauzë të rëndësishme.
“Në këtë ekspozitë kanë marrë pjesë artistë prej gjithë trojeve shqiptare duke u nisur prej Maqedonisë, Shqipërisë, Luginës së Preshevës, Malit të Zi. Gjithashtu e kemi pasur një artiste nga Finlanda dhe Turqia, ku janë bashkangjitur me vullnetin më të mirë. Madje, disa nga artistët kanë shprehur haptazi se punimet e tyre mund të mbesin në këtë ekspozitë dhe herdo kur të shiten, paratë të shkojnë për ndihmë,” theksoi ajo.
Ekspozita përmbante një përzgjedhje veprash të cilat janë krijuar si shprehje e dhimbjes personale të artistëve apo përvojave që kanë kaluar të afërmit e tyre me sëmundjen e kancerit të gjirit.
Sipas Mustafës, të gjitha pikturat e realizuara në ngjyrë rozë, mbartnin një mesazh solidariteti dhe ndërgjegjësimi, duke e fuqizuar simbolin e fjongos rozë.
“Në këtë ekspozitë ka pasur persona që kanë marrë pjesë për shkak se kanë pasur në familje, të afërm apo ndonjë shoqe që është prekur nga kjo sëmundje dhe në bazë të storieve të tyre, e kanë shprehur dhimbjen që e kanë ndjerë. Përmes ngjyrave, ato kanë shprehur një mesazh jashtëzakonisht të mirë, ku çdo pikturë ka qenë ngjyrë rozë ku theksohet dhe i jep fuqi fjongo rozës,” thotë kuratorja.
Ndërsa, ndan rëndësinë e kontrolleve të rregullta shëndetësore, kuratorja shprehet se ky mesazh vjen nga një përvojë personale, pasi ka humbur nënën dhe motrën nga probleme shëndetësore që mund të ishin shmangur me kontrolle të thjeshta.
“Shpesh më pyesin se a bëj kontrolle meqë jap mesazhe të forta dhe po i përkrah vajzat. Unë fatmirësisht nuk kam asnjë familjar të prekur nga kjo sëmundje, mirëpo unë e kam humbur edhe nënën dhe motrën në moshë të re, të cilat kanë vdekur nga një sulm në tru dhe në qoftë se do të kishin bërë kontroll të thjeshtë, sot ndoshta do të ishin pjesë e jetës sime. Dhe po, edhe unë bëj kontrolle të shpeshta sepse ndryshe nuk do të kisha pasur mundësi të barti mesazh tek të tjerët”, rrëfen ajo./Telegrafi/