Telegrafi

Ekspozita e parë e astrologjisë në Prishtinë vjen nën atmosferën e festës së frikshme të Halloweenit

Në Kosovë është mbajtur ekspozita e parë e astrologjisë, e quajtur “What’s your zodiac sign?”.

Në ambientet e lokalit “Bagolina” në kryeqytet, është bërë prezantimi i 12 fotografive artistike të 12 modelëve që kanë reprezentuar secili nga një shenjë të horoskopit.

Në një natë feste dhe me maskime të shumta që përkojnë me të ashtuquajturën “nata e shtrigave”, artistja e artit digjital, Dafina Gjikolli, rrëfeu për Telegrafin konceptin e kësaj ekspozite të ideuar nga ajo.

“Sonte e kemi një event shumë special, është nata e Halloweenit. E kemi organizuar një ekspozitë me 12 fotografi, të cilat janë dizajnuar prej meje. Unë jam artiste e artit digjital dhe i kam krijuar disa imazhe më interesante në bashkëpunim me fotografin Genc Fona, artisten e makijazhit Gresa Rexha, dhe me astrologen Laura Bilalli”, ka thënë Dafina për Telegrafin.

Dafina Gjikolli, artiste e artit digjital (Foto: Dafina Gjikolli/Instagram)

Artistja me prejardhje nga Peja gjithashtu theksoi se cila është domethënia e secilës fotografi përkatëse që ishte pjesë e ekspozitës.

“Fotografitë janë 12 shenjat e horoskopit dhe krejt veçantia e kësaj është që të gjitha modelet që janë paraqitur në këto fotografi, e kanë shenjën përkatëse, pra akrepi-akrepin, luani-luanin. Kemi gjetur disa person që i reprezentojnë këto shenja në mënyrën më të mirë”, theksoi ajo.

Dafina Gjikolli dhe Lorofili (Foto: Telegrafi)

Ndërkohë, astrologia e parë kosovare, Laura Bilalli – Lorofili, për Telegrafin tregoi se në ekspozitën “What’s your zodiac sign” ka pasur rolin e parashikueses.

“Sonte në ‘Bagolina’ për herë të parë në Kosovë është mbajtur ekspozita e parë për astrologji. D.m.th ekspozita i ka gjithsej 12 fotografi, në të cilat janë 12 modelet përkatëse të cilat i kemi marrë për shenjën e caktuar dhe poshtë fotos janë parashikimet. Si surprizë për Halloween ka me qenë përzgjedhja e tre personave për të bërë pjesën e parashikimeve”, tha astrologia prishtinase.

Laura Bilalli – Lorofili, astrologe (Foto: Telegrafi)

Lorofili tregoi po ashtu se cila prej shenjave të horoskopit është më e frikshmja këtë Halloween.

“E kam pritur që të jetë akrepi, po edhe prej fotografive vërehet që akrepi e ka atë egërsinë edhe mundem të them që njëra prej fotografive më të frikshme është akrepi”, theksoi Lorofili.

Pamje nga ekspozita “What’s your zodiac sign?” në Prishtinë (Foto: Telegrafi)

Në fund të mbrëmjes, Dafina bëri prezantimin e ekspozitës për të pranishmit, duke i falënderuar bashkëpunëtorët që ndihmuan në realizimin e këtij eventi të veçantë në Prishtinë. /Telegrafi/