Në projekt-buxhetin e Republikës së Kosovës të vitit 2015, është paraparë që eksportet të rriten për 7 për qind. Kjo rritje e eksporteve e projektuar nga Ministria e Financave është vlerësuar nga përfaqësues të shoqatave ekonomike, megjithatë sipas tyre, pa krijimin e lehtësirave fiskale kjo nuk do të mund të arrihet.
Derisa, rritja për eksporte është menduar të jetë 7 për qind, për importe është vetëm 5 për qind. Kjo diferencë është vlerësuar që sadopak ta përmirësojë bilancin negativ tregtar shumë të lartë.
Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, përfaqësues të Ministrisë së Financave kanë treguar se si është paraparë rritja e eksporteve.
Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, ka bërë të ditur se rritja prej 7 për qind e eksportit të mallrave është një parashikim konservativ dhe është bërë mbi bazën e politikave ekzistuese.
Eksporti i mallrave të Kosovës, thekson Shahini kryesisht është i dominuar nga metalet dhe se aty pritet të ketë rritje. “Sipas parashikimeve edhe të Fondit Monetar Ndërkombëtarë për çmimet ndërkombëtare të komoditeteve, çmimet e metaleve, në veçanti nikelit do të rriten në periudhën afat-mesme. Kjo pritet të ndikoj edhe në rritjen e normës se shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në Kosovë” , thekson Shahini.
Për të rritur eksportet në fillim të vitit 2014, Qeveria e Kosovës ka aprovuar listën e zgjeruar të marrave të liruara sipas Ligjit për mallrat e liruara nga detyrimi Doganor, e përbërë kryesisht nga lënda e parë që përdoret nga prodhuesit vendor dhe që nuk mund të prodhohet në Kosovë.
Gjithashtu, në shtator të vitit 2013, Ministria e Financave ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ për aplikimin e normës se sheshtë të TVSH-së për prodhuesit bujqësor masë kjo e cila i liron bujqit nga detyrimi i pagesës së TVSH-së.
Këto politika fiskale, shton Shahini pritet të ndikojnë në uljen e kostos së prodhimit, e që rrjedhimisht do të ndikojnë edhe në rritjen e eksportit.
Lidhur më rritjen e eksporteve, profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berat Rukiqi i ka thënë se më në fund po vërehet një politikë më aktive e stimulimit të sektorit privat dhe jo vetëm nga investimet publike, mirëpo edhe nga aspekti i investimeve në sektorin e bujqësisë. “Të gjitha këto mendoj se mund të ketë efektin e rritjes së eksporteve në një anë, pastaj mund të jetë pjesa tjetër që lidhet jo drejtpërdrejtë me prodhimtarinë primare bujqësore, por edhe sektorët tjerë siç janë përpunimi i miellit, përpunimi i ushqimit në përgjithësi dhe i disa produkteve tjera në sektorin e pijeve dhe në sektorë tjerë që kanë potencial që të rrisin eksportet”, shton Rukiqi.
Në anën tjetër, drejtuesit e dy organizatave të biznesit i kanë bënë thirrje Ministrisë së Financave që në periudhë sa më të shpejtë të inicioj ndryshimet e duhura ligjore, për të jetësuar vendimet për krijimin e lehtësirave fiskale, përfshirë këtu edhe pushimet tatimore për investitorët e huaj apo vendor, që krijojnë vende të reja të punës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini lidhur më këtë ka theksuar se në të ardhmen pritet të ndryshojë Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, ligji për tatimin mbi të ardhurat në korporata dhe Ligji për të ardhurat personale. “Ne e kemi zotimin e qeverisë së re që programi i ri do të miratohet në janar dhe aty do të parashihen të gjitha fushat se si do të ndihmohen prodhuesit vendorë, përpunuesit dhe të gjitha bizneset në Kosovë”, bën të ditur Shahini.
Ndryshe, Kosova përgjatë viteve ishte përballur më një deficit të lartë tregtarë. Të dhënat zyrtare, tregojnë se kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ulët dhe atë rreth 200 milionë euro në vit, kurse importi kalon shifrën e mbi 1 miliard euro. /Rel/Telegrafi/