Telegrafi

Eksperti i referimit tregon arsyen pse goli i Soucek ndaj Arsenalit u pranua nga gjyqtari

Një ekspert i referimit ka shpjeguar arsyen pse goli i parë i West Ham United ndaj Arsenalit u pranua nga gjyqtarët.

Arsenali pësoi një humbje me rezultat 2-0 në shtëpi mbrëmjen e së enjtes ndaj West Hamit, duke humbur kështu mundësinë për t’u rikthyer në krye të tabelës në Ligën Premier.

Tomas Soucek i dha epërsinë ekipit të David Moyes në minutën e 13-të, pas asistimit të reprezentuesit anglez Jarrod Bowen.

Sidoqoftë, ky gol ishte subjekt i shumë polemikave që përfshinë edhe sistemin VAR, pasi shumë persona hodhën dyshime se topi kishte kaluar vijën kur Bowen e krosoi atë tek Soucek në zonë.

Pas një konsultimi prej tre minutash me VAR-in, gjyqtarët u informuan se pamjet nuk ishin të mjaftueshme për të anuluar golin, me Mikel Artetan që më vonë e përshkroi situatën si “të turpshme” në intervistën pas ndeshjes.

Në një intervistë për ESPN, Dale Johnson, ekspert i referimit ka shpjeguar pse goli i mysafirëve u pranua.

“Arsenali përsëri e pësoi nga pamja e topit që u errësua nga një lojtar, duke bërë që gjyqtari në VAR të mos jetë i sigurtë se i gjithë topi ishte mbi vijë”, ka thënë Johnson.

“Këmba e Bowen e mbulon tërë vijën duke bllokuar pamjen e topit. Teksa probabiliteti është që i gjithë topi ka kaluar vijën, VAR-i nuk ka pasur dëshmi për këtë”, vazhdoi ai.

Lexo po ashtu “Nuk arritëm të merrnim atë që meritonim”, Arteta i frustruar nga humbja ndaj West Ham

Duke folur për një mënyrë për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen, Johnson shtoi: “Nuk ka zgjidhje të lehtë dhe nuk është diçka që mund të rregullohet thjesht duke shtuar më shumë kamera pasi ka gjithmonë mundësi që topi të bllokohet nga shumë lojtarë”.

“Në të vërtetë, në situatën e Bowen, Oleksandr Zinchenko është në vijën brenda portës, kështu që edhe të kesh një kamerë në të dy anët e fushës nuk do të garantonte një vendim të saktë”, përfundoi Johnson./Telegrafi/