Eksperti polak, Jakub Sliz thotë se Kosova dhe Polonia mund të bashkëpunojnë në luftimin e propagandës ruso-serbe.
Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se për Poloninë dezinformtatat ruse vazhdojnë të përbëjnë kërcënim pavarësisht teknikave që përdorin për luftimin e tyre.
“Ka shumë ngjashmëri [mes Kosovës dhe Polonisë], veçanërisht duke ardhur nga Polonia, e cila është fqinje e Rusisë, mendoj se ka një mundësi për të bashkëpunuar, sepse ndajmë të njëjtën histori dhe të njëjtin armik”, thotë ai për KosovaPress.
“Problemi më i madh është se jemi nën presion të vazhdueshëm nga dezinformata ruse. Por nga ana tjetër, për shkak të faktit që jemi vazhdimisht të sulmuar, dhe për shkak të arsyeve historike, që kemi qenë nën pushtim, disi jemi mësuar me të dhe kuptojmë se si të përballemi me dezinformata ruse, kështu që mendoj se në shoqërinë tonë kemi një mekanizëm mbrojtës, gjyshërit tanë, prindërit tanë kanë jetuar në komunizëm, kështu që ata kuptojnë se çfarë është propaganda dhe dezinformata ruse. Pra, nga njëra anë, po, nga ana tjetër, ekziston ky kërcënim i vazhdueshëm në kufijtë tanë”, thotë ai.
Se Rusia shfrytëzon çdo mundësi për të përhapur propagandë, eksperti polak për verifikimin e fakteve, thotë se dëshmohet në shumë faqe interneti.
“Nëse flasim për situatën me Rusinë, sigurisht, ne polakët, duke folur në kuadrin e politikës më të përgjithshme, mbështesim Ukrainën, kështu që ka një pengesë ndërmjet nesh dhe Rusisë. Ne ndjehemi jashtë qasjeve, ndikimit të butë dhe kërcënimeve nga siguria kibernetike. Kështu e shohim ne ndërveprimin me Rusinë. Nëse flasim për diplomacinë, natyrisht për shkak të luftës i kemi prerë të gjitha lidhjet. Por në sferën e informacionit, shohim shumë procese, shohim shumë faqe lajmesh që promovojnë dhe shtyjnë propagandë, megjithëse ka shumë balance, për shembull në ‘Russia Today’. Shohim shumë përmbajtje që shtyhet përmes Telegram-it, përmes kanaleve WhatsApp dhe këtë e shohim shumë qartë”, tregon Sliz.
Ai tregon për KosovaPress edhe dallimet mes Polonisë dhe Kosovës në mënyrën e të funksionuarit të mediave, e që sipas tij, ndikon edhe në luftimin e dezinformimit.
“Ka shumë sfida të ngjashme, teknikat ndryshojnë për shkak të faktit se në Ballkan konsumoni media në një mënyrë tjetër nga Polonia. Ne, për shembull, po orientohemi pak më shumë në mediat sociale. E di që mediat tradicionale janë ende një gjë shumë e madhe në Kosovë. Ekziston një dietë e ndryshme, por në fund të ditës, ushqimi nga i cili përbëhen gatimet e caktuara është i njëjtë. Nuk ka kaq shumë ndryshim nga këndvështrimi im”, thotë ai.