Telegrafi

Ekspertët ndërkombëtarë për Demarkacion qëndruan në Pejë

Ekspertët ndërkombëtarë për rishikimin e marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi kanë udhëtuar të mërkurën drejt komunës së Pejës, për të dëgjuar nga afër shqetësimet për shënimin e vijës kufitare që ndodhet në fshatrat e saj.

Tre ekspertët, amerikani Fletcher M. Burton, gjermani Herbert Wilmes dhe britaniku Fred Newton, së pari u takuan me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri, për të dëgjuar argumentet e komunave, trasneton tch .

Në takim, Muhaxheri ka paraqitur konkluzionet e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, që është mbajtur të mërkurën paradite e ku asamblistët kanë kërkuar nga komisioni ndërkombëtar që të marrë në shqyrtim të gjitha hartat, atlaset dhe faktet relevante.

Më pas, ekspertët ndërkombëtarë të demarkacionit kanë takuar edhe përfaqësuesin e opozitës kosovare në komisionin për demarkacionin, Ali Lajçin, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili bashkë me banorë të zonës kufitare kanë prezantuar harta dhe argumentet e tyre për ndryshim të kufirit në dëm të Kosovës.

Ekspertët të enjten do të vizitojnë në terren edhe vijën kufitare që po kontestohet.

Pastaj ata do të udhëtojnë drejt Podgoricës, ku të premten do të takohen me anëtarët e komisionit malazez për shënimin e vijës kufitare me Kosovën, për të dëgjuar edhe argumentet e tyre.

Pas vizitës në Mal të Zi, komisioni ad-hoc i emëruar nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga do të publikojë raportin e punës dhe konkluzionet e tyre për marrëveshjen e demarkacioni.