Site icon Telegrafi

Ekspertët e pavarur: Kosova humb territor, Mali i Zi fiton 70.44 kilometra më shumë

Grupi i ekspertëve të pavarur të cilët po kundërshtojnë Demarkacionin me Malin e Zi, kanë prezantuar faktet e reja shkencore mbi demarkimin e vijës kufitare Kosovë – Mali i Zi.

Shpejtim Bulliqi ka thënë se në rast të ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ky shtet do të ketë rritje të sipërfaqes territoriale.

“Mali i Zi që nga viti 1945 deri më 2015 ka prezantuar se kishte sipërfaqe territoriale prej 13.812 km2, kurse pas nënshkrimit të marrëveshjes rezulton të ketë më shumë në 13.882.44 km2 apo 70.44 km më shumë”, ka thënë Bulliqi, transmeton Telegrafi.

Bulliqi ka theksuar se pjesë e hulumtimit të tyre kanë qenë një grup i profesorëve të fushave të ndryshme, që gjatë këtyre dy viteve sipas tij kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, që ta nxjerrin të vërtetën rreth demarkimit me Malin e Zi.

Ai ka theksuar se ky hulumtim nuk ka asgjë personale me qarqet politike dhe se qëllimi i vetëm është që të tregojnë të vërtetën se demarkimi me Malin e Zi është bërë gabim.

“Hulumtimi është bërë i bazuar në fakte zyrtare, shtetërore. Në këtë hulumtim janë përdorur 861 harta publike zyrtare të Malit të Zi, përgjatë tërë vijës kufitare të Malit të Zi”, ka thënë Bulliqi.

Ai ka bërë të ditur po ashtu se edhe demarkimi i vijës kufitare me Serbinë në të ardhmen do të sjellë probleme. /Telegrafi/

Exit mobile version