Telegrafi

Ekspertët: Kërkesa për zgjedhje të reja është e palogjikshme (Video)

Edhe në rast se LSDM-ja pranon kërkesën e OBRM-PDUKM-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pushteti aktual nuk është kompetent për organizimin e tyre. Ekspertët konsiderojnë se qeveria aktuale është mishmash pushtetesh ku në një janë përzier ekzekutivi dhe ligjvënësi. Juristja Margarita Caca Nikollovska konsideron se nuk mund të ketë zgjedhje të reja përderisa zgjedhjet e fundit janë pranuar nga të gjitha palët.

“Nuk ka nevojë dhe nuk ka bazë ligjore për zgjedhje të reja. Konsideroj se nuk ka as pajtueshmëri për zgjedhje të reja. Është çështje tjetër se nëse merret vendim për zgjedhje kush do t’i zbatojë. Sigurisht që kjo qeveri teknike nuk mund t’i zbatoj ato zgjedhje. Me zgjedhje të reja nuk do të zgjidhet asgjë”, tha për Alsat-M Margarita Caca Nikollovska, juriste.

Profesori Zemri Elezi thotë se procedura për organizimin e zgjedhjeve të reja, duhet fillimisht të kalojë përmes konstituimit në tërësi të Kuvendit. Elezi shton se për organizimin e tyre duhet patjetër të ketë ekzekutiv të ri që do të bëj mbikëqyrjen e të njëjtave.

OBRM-PDUKM që kur dështoi të formojë shumicën, kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale. Me një ide të tillë, madje edhe me koncepte të reja rreth sistemit zgjedhorë doli edhe përmes Manifestit të saj për dalje nga kriza.

Megjithatë, shumica aktuale në Kuvend momentalisht nuk pranon një mundësi të tillë. Ndonëse VMRO-DPMNE-ja këmbëngul në këtë kërkesë, faktori ndërkombëtarë kërkon që të respektohet vullneti i shumicës e cila është formuar dhe pret mandatin nga Presidenti Gjorge Ivanov./Telegrafi/