Ekspertët mjekësorë kanë paralajmëruar njerëzit të injorojnë trendin e çuditshëm në TikTok për shmangien e kremit kundër diellit për të eliminuar ose “djegur” aknet.
Trendi i pamatur, që përfshin ekspozimin e lëkurës pa vendosur produkt kundër diellit, është kritikuar nga profesionistët mjekësorë të cilët thonë se është tepër i rrezikshëm dhe mund të çojë në kancer shkatërrues të lëkurës, shkruan Express.co.uk.
Një mjeke e përgjithshme e njohur si Claire Merrifield është shprehur e tronditur me këtë trend që ka vërshuar rrjetet sociale.
“Ky është një trend tjetër i TikTok që është tepër i rrezikshëm dhe mashtrues”, paralajmëron ajo.
“Është krejtësisht e rreme që ekspozimi i akneve në rrezet e diellit ‘djeg’ njollat . Rrezet UV dëmtojnë drejtpërdrejt ADN-në në qelizat e lëkurës, gjë që mund të çojë në mutacione që shkaktojnë kancer të lëkurës”.
Ajo thekson se “nëse e ekspozoni lëkurën pa e mbrojtur me SPF, atëherë rritni automatikisht rrezikun e kancerit të lëkurës. Pa përmendur edhe plakjen e parakohshme të lëkurës”. /Telegrafi/