Avokati, Florim Shefqeti në lidhje me grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë ku mbeti i plagosur një polic ka thënë se identifikimi i të dyshuarve mund të bëhet më së lehti përmes identifikimit të automjetit të pronarit.
“Identifikimi i shpejtë mund të bëhet përmes automjetit, ky është çelësi fillestar. Përdorimi i maskave dhe e automjetit janë të planifikuara, prandaj zinxhiri i identifikimit duhet të bëhet nga pronari ose poseduesi i automjetit”, ka thënë Shefqeti.
Shefqeti në RTV Dukagjini ka thënë se këto vepra penale kryhen në mënyrë të koordinuar e të planifikuar dhe zakonisht bëhen kur përfundon orari i zyrtarëve të institucionit që planifikohet të grabitet.
“Ajo që do doja të thoja, normalisht këto vepra penale kryhen në mënyrë të koordinuar, planifikohet për të qenë më e përshtatshme, ndërrimet e punës të policëve, përfundimi i orarit të zyrtarëve, kur kemi të bëjmë me institucione bankare, pashmangshëm orari paraqet një indikacion”, ka vijuar ai.
Po ashtu edhe ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani ka thënë se ky rast është një incident që hyn në kategorinë e veprave penale të rrezikshme por që sipas tij raste të tilla mund të ndodhin në çdo vend.
Ai ka theksuar se veprimet e policisë duhet të jenë parandaluese edhe pas kryerjes së veprës në mënyrë që të shmangen rastet e reja.
“Ndodhin gjithandej, nuk mund të them që vetëm në Kosovë. Veprimet e policisë duhet të jenë proaktive dhe reaktive, dallon taktika e reagimit, si p.sh. në rastin në Suharekë janë veprime që duhet shpejt të ndërmerren në krahasim me incidentin që ka ndodhur në Prizren”, ka thënë Sylejmani.
Ndryshe, një zyrtar policor është plagosur në këmbë në momenti kur ka intervenuar në një tentim grabitje në Suharekë.
Polici në fjalë është jashtë rrezikut për jetë.
Katër persona, sipas policisë ishin të armatosur dhe kishin tentuar ta grabisin një argjendari.
Të dyshuarit, sipas pamjeve, kishin me vete armë të gjata dhe ende janë në arrati.
“Një grabitje ka ndodhur në një dyqan të argjendarisë në Suharekë rreth orës 15:45. Patrullat policore të Stacionit të Policisë së Suharekës janë informuar menjëherë dhe kanë shkuar në vendngjarje. Rreth orës 16:03 kemi marrë informatën se vetura e dyshimtë është një veturë e pasagjerëve. Sapo Policia ka mbërritur në vendngjarje, të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të Policisë. Gjatë intervenimit një zyrtar policor ka mbetur i plagosur në këmbë”, ka thënë Vesel Gashi nga Policia e Prizrenit.