Site icon Telegrafi

Ekspedita e Maksimilian Lambercit, në Shqipërinë e vitit 1916

Maximilian Lambertz në veshjen kombëtare shqiptare

Tru apo këpucë për shqiptarët?
Lexo po ashtu Tru apo këpucë për shqiptarët?

Përgatiti: Robert Elsie

Maksimilian Lamberc (Maksimilian Lamberc, 1882-1963) është ndër albanologët kryesorë gjermanishtfolës të shekullit të njëzetë, bashkë me austriakun Norbert Jokl (1877-1942) dhe baronin hungarez Franc Nopça (Franz Nopcsa von Felső-Szilvás, 1877-1933), është pa dyshim edhe austriaku Lamberc (1882-1963). Një bursë qeveritare bëri të mundur që shkencëtari i ri të bënte një udhëtim në Itali dhe në Greqi, gjatë të cilit, duke përgjuar bisedimet e peshkatarëve të Atikës dhe të barinjve të Thivis, ai ra në kontakt për herë të parë me gjuhën shqipe.

Pjesa dërrmuese e fotografive shqiptare të koleksionit të Maks Lambercit u realizua gjatë udhëtimit të tij në verë të vitit 1916, kryesisht në Mirditë. Janë fotografi të peizazheve të Mirditës dhe të Shqipërisë se Veriut, të mirditorëve, dhe të fshatrave dhe ndërtesave të tyre në mes të Luftës së Parë Botërore.

Ka edhe një fotografi të bukur të Tiranës. Fotografitë e Koleksionit të Maks Lambercit, të botuara për herë të parë në albumin fotografik “Dritëshkronja: Fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani jugperëndimor” (Prishtinë 2007), ndodhën tani në Bildarchiv të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë në Vjenë (www.bildarchiv.at), të cilit jemi mirënjohës për lejen për t’i paraqitur këtu. Fatmirësisht, për identifikimin e fotografive të koleksionit, ekziston një raport me shkrim të Lambercit për udhëtimin e tij në Mirditë në atë vit. Ky shkrim, me titullin “Raport mbi studimet e mia gjuhësore në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916″ u botua gjermanisht në gazetën e Akademisë Perandorake të Shkencave në Vjenë, po në vitin 1916.

Një pjesë të këtij raporti po e japim këtu të përkthyer në gjuhën shqipe. Është fjala për pjesën që lidhet drejtpërsëdrejti me udhëtimin e Lambercit në Mirditë, duke përjashtuar këtu materialin gjuhësor.

***

Në pranverë të vitit 1916, Komisioni për Ballkanin i Akademisë Perandorake të Shkencave në Vjenë më dha detyrën që të merrja pjesë në një ekspeditë ballkanike të organizuar nga Akademia Perandorake e Shkencave në bashkëpunim me Ministrinë Perandorake të Arsimit dhe të Pedagogjisë dhe me Zyrën e Thesarit Perandorak me qëllim kryerjen e hulumtimeve gjuhësore dhe folklorike në Shqipëri.

U nisa nga Vjena më 19 maj [1916] bashkë me historianin e artit dhe epigrafistin e ekspeditës. Pas një qëndrimi të shkurtër në Sarajevë, i cili u shfrytëzua për kërkime në muzeumin krahinor, u nisëm për në Kotorr dhe pastaj u ngjitëm në Lovçen, për në Cetinjë dhe Podgoricë. Këtu u ndava nga bashkudhëtarët e mi dhe u nisa për në fisin Gruda.

Ky fis shqiptar, i cili gjeografikisht është më i largëti, banon në malet në lindje të Podgoricës në luginën e Cemit, në fshatrat Dinoshë, Pikalë, Prift, Lofkë, Bozhaj dhe Selishtë. Baroni Nopça kishte udhëtuar në këtë krahinë në verë të vitit 1907 për të shkuar në Shalë dhe Kelmend. Më 28 maj arrita në Prift, një vendbanim midis Pikalës dhe Lofkës ku banon famullitari i Grudës. Nuk është një fshat i vërtetë, por ka një qelë të re të ndërtuar me fondet e monarkisë sonë, dhe një kishë, e cila ndodhet disa minuta prej saj. Emri i vendbanimit Prifti, si shumë toponime shqiptare, vjen nga emri ose titulli i banorit të parë. Për shembull, toponimi Domgjoni i cili ekziston në disa krahina të Shqipërisë së Veriut, do të thotë vendi ku ka banuar një famullitar me emrin Gjon, rreth të cilit u krijua një fshat.

Toponimet e shumta që mbarojnë me -aj janë emra fisesh njësoj si toponimet tona gjermanisht me -ing, -ingen, -ungen. Famullitari i tanishëm i Grudës është françeskani mjaft mirëdashës, Bonaventura Gjeçaj, shqiptar, i cili quhet nga besimtarët e famullisë, Pater Bona, një shembull i mirë i antipatisë që kane shqiptarët për emra të gjatë. Ai dhe Togeri Çuninka [Czuninka], i cili administronte Grudën asokohe, më pritën përzemërsisht.

Si pasojë qeshë në gjendje të kryeja hulumtimet e mia në mes të Grudës pa vështirësi sepse banorët e fshatrave përreth mblidheshin në Prift për shërbesa fetare, për të marrë pjesën e bereqetit prej qeverisë, dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ligjore para gjykatësit të caktuar nga komandanti. Bisedoja me ta për të dëgjuar dialektin e tyre dhe, pasi e tejkaluan mosbesimin fillestar ndaj meje dhe u bindën se nuk kisha ardhur në luginën e tyre për të ndërtuar ndonjë fabrikë, ata më kënduan këngë me lahutë, të cilat i shënova me shkrim…Pas disa ditëve atje, isha në gjendje të kuptoja deri diku dialektin e fisit të njerëzishëm Gruda.

Do të kisha dashur të qëndroja më gjatë në luginën e bukur të Cemit, por doja të shkoja në Shkodër, qendrën shpirtërore të Shqipërisë së Veriut. Kështu mora rrugën për në Podgoricë dhe, duke qenë se bashkudhëtarët e mi u shpërndanë nëpër Malin e Zi, secili i zënë me fushën e vetë, unë vazhdova rrugën time për në Shkodër vetëm…Kur pjesëmarrësit e tjerë të ekspeditës arritën në Shkodër, udhëtova me ata për në jug. Shkuam në Lezhë, ku bëra një ekskursion në Velë me Doktor Kidriqin [Kidrić]. Nga Lezha, udhëtova me Doktor Bushbekun [Buschbeck] dhe një zotëri gjerman nëpër Fushën e Molungut për në manastirin e vjetër të Rubikut, tani i banuar nga françeskanët, historia e të cilit u hartua nga Millan fon Shuflaj [Milan von Šufflay] në vëllimin e tij tepër informativ Illyrisch-albanische Forschungen [Kërkime iliro-shqiptare], botuar kohët e fundit nga Ludvik fon Talloçi [Ludwig von Thallóczy]. Në Rubik kaluam ditën e Rrëshajës së Madhe. Nga manastiri mikpritës dhe hijerëndë, i vendosur mbi një mal prej të cilit shihej larg, zbritëm në luginën e lumit Fan deri në pikën ku lumi derdhet në Mat dhe, pasi kaluam Matin, arritëm në Milot. Gjatë kësaj pjese të udhëtimit, vura re se dialekti i Mirditës flitet gjithashtu në Malësinë e Lezhës dhe më tej nga Lezha deri në Adriatik.

Nga Miloti vazhduam rrugën përmes Mamurrasit për në bazën e vjetër të Skënderbeut, në vendbanimin e bukur të Krujës me burimet e saj natyrore. Dialekti i Krujës nuk përputhet krejtësisht me të folurin e Durrësit dhe të Elbasanit, të përshkruar nga Vajgandi [Weigand], dhe duhet të studiohet dhe të shënohet më vete. Fatkeqësisht kësaj radhe nuk kisha kohë për këtë. Nga Kruja kalëruam përmes fushave pjellore të mbuluara me ullinj për në Tiranë, qyteti i Toptanëve i cili ka një vendndodhje të bukur. Ky qytet, me shtëpitë e tij madhështore dhe mikpritëse myslimane dhe kopshtet e bukura të fshehura në mënyrë idilike prapa mureve të verdha e të larta, që gjithsesi nuk binin në sy, na la mbresa të thella …

Në Tiranë u ndava nga bashkudhëtarët e mi, që të mos humbja kohë për detyrën time kryesore, dhe u ktheva në Shkodër nëpërmjet Durrësit dhe Lezhës, ku kësaj radhe vizitova Shëngjinin.Në Shkodër ku qëndrova tri javë, vazhdova studimin e dialektit të Mirditës me Marka Gjokën dhe mirditorë të tjerë. Gjithashtu studiova këngë shqiptare për fëmijë me ndihmën e Patër Vinçenc Prennushit. Disa here shkova edhe në orë mësimi në shkolla të cilat punojnë sipas programeve austriake, edhe shkolla françeskane edhe shkolla publike. Djemtë, shumica e të cilëve ishin të shkathët dhe të talentuar, njohin mirë matematikën, gjeometrinë dhe gramatikën e shqipes.

Françeskanët dhe shkolla publike japin edhe mësim të gjermanishtes me mjaft sukses, kështu që shumë të rinj mund të shërbejnë si përkthyes për trupat tona.Në Shkodër shënova trembëdhjetë përralla drejtpërsëdrejti nga goja e tregimtarëve të zhdërvjellët. Nuk pata mundësi të shënoja më shumë sepse nuk kisha kohë të mjaftueshme për të zhvilluar biseda private me vendësit për t’u njohur me ata personalisht, gjë me rëndësi të veçantë në këtë fushë.Ndërkohë, pjesëmarrësit e tjerë në ekspeditë ishin kthyer në Shkodër dhe vendosa të koordinoja planin tim për të shkuar në Mirditë me synimin e tyre për të udhëtuar në Gjakovë nëpërmjet Shqipërinë e Veriut, duke shpresuar kështu të arrija në Mirditë pas ndryshimit të rrugëtimit përmes Shqipërisë së Veriut. U nisëm nga Shkodra në fillim të korrikut dhe kaluam luginën e Kirit përmes Drishtit dhe Prekalit për në krahinën e Shoshit. Mark Lulashi nga Shoshi na shërbeu si udhërrëfyes dhe doli se ishte njohës i mirë i dialektit të Shoshit. Ky dialekt karakterizohet nga shqiptimi i q si c dhe i gj si x. Shënova gjithashtu disa këngë në dialektin e Shoshit. Nga Qafa e Gurakuqit, rruga na çoi përmes Shoshit poshtë në luginën e Lumit të Shalës, prej ku, duke lënë Abatin majtas, u ngjitëm për në Qafën e Agrit, e cila është kufiri midis Shalës dhe Merturit. Prej këndej, u ngjitëm përmbi Palç për në Kotec dhe arritëm në luginën e Drinit para Kotecit. Udhëtimi na kishte ofruar pamje të mrekullueshme që nga Drishti e më tej, me male të larta e hijerëndë, me pamje të paqme të luginës në Shosh dhe peizazhe të errëta të Shalës, por pasi hymë në luginën e Drinit, i cili gjarpëron prej këtu nëpërmjet maleve të Merturit, u mahnitëm nga peizazhet vërtet të mrekullueshme.

Nga Koteci në Drin u ngjitëm për në Rajë, vendbanimi i fundit në Mertur. Kjo famulli, ku Patër Gjoni banon në vetmi, ndodhet aty ku Valbona derdhet në Drin. Më lart në luginën e Valbonës banon fisi mysliman Krasniqi, i cili nuk e meriton aspak namin e keq që ka si popull armiqësor dhe i egër. Në Gegëhysen u njoha me disa pleq krasniqas dhe vura re se janë njerëz të mençur që dinë të shijojnë një barcaletë të mirë dhe prapëseprapë janë myslimanë me mjaft dinjitet. Dialekti i tyre i përket grupit të Gjakovës. U ndava nga tre bashkudhëtarët e mi në luginën e Valbonës, të cilët vazhduan në drejtim verilindor, kurse unë u nisa në drejtimin jugor, duke u kthyer në Rajë në hyrjen e luginës. Aty takova Beqir Noun dhe Kolë Markun të cilët u treguan të gatshëm të më informonin për dialektin e tyre në kufirin me Merturin ku, në një qetësi malore të përsosur, Valbona e ëmbël, e mbushur me peshq, derdhet në Drin, dhe fiset Krasniqi, Gashi dhe Thaqi puqen me Merturin …

Kalova Valbonën poshtë Rajës dhe pastaj kalova Drinin me një pirogë të dyfishtë jashtëzakonisht primitive. Tash ndodhesha në tokën e Fierzës, në zonën e fisit Thaqi, duke ndjekur për një farë kohe të njëjtën rrugë që kishte bërë Karl Shtajnmeci [Karl Steinmetz] në gusht të vitit 1903, të cilën ai e përshkroi në librin e tij Eine Reise durch die Hochländergaue Oberalbaniens [Një Udhëtim për në Lartësitë e Shqipërisë së Epërme], vëllimi i parë i botuar nga Paç-i [Patsch] në serinë e tij Schriften zur Kunde der Balkanhalbinsel [Shkrime për Njohjen e Gadishullit Ballkanik]. Mirëpo ai udhëtoi në drejtimin e kundërt, nga jugu në veri, kurse unë udhëtova në drejtim të jugut nga Fierza përmes pyllit të virgjër dhe të bukur me lisa të gjatë deri në luginën e bukur të Iballës, e cila rrethohet nga malet nënalpine.

Pronari i pirogës i cili më çoi nëpër Drin ishte udhërrëfyes dhe burim i mire informues për dialektin e Thaqit i cili, po ashtu si dialekti i Rajës, është midis Gjakovës dhe Mirditës. Në Iballë, u largova prej rrugës së ndjekur nga Shtajnmeci, i cili kishte ardhur në Iballë nga Kryeziu, dhe u nisa në një shteg në drejtim të perëndimit duke kaluar Qafën e Çomorisë. Prej këndej, shtegu zbret në Lumin e Sapaçit në Berishë dhe pastaj ngjitet me një të përpjetë të fortë në shpatet e Krrabës me pyje të zeza për të kapur Qafën e Tmugut. Prej andej, shtegu zbret përmes lisnajave në luginë pjellore të Qelëzës dhe ngjitet në një nivel prej 820 m. mbi nivelin e detit dhe arrin në rrafshin e Pukës.

Gjatë rrugës rreth e rrotull ka pamje të bukura nga ana e veriut. Janë tetë vargmale njëri pas tjetrit, secili me ngjyrën e vetë, nga kodrat e veshura me gjelbërim deri në masivët shkëmborë dhe të hirtë të mbuluar me borë. Prej këndej shihet gjithë Shqipëria e Veriut, deri në Bjeshkët e Shqipërisë së Veriut dhe Malit Shkëlzen. Lart në pllajë kuptohet se romakët kishin pasur sy të mirë, jo vetëm në Carnuntum të Austrisë por edhe këtu në Epicaria [Pukë], duke zgjedhur vendet më të mira për ngulimet e tyre, prej të cilave kontrollonin tërë rajonin. Fon Hani [von Hahn] dhe Baroni Nopça që të dy kishin pranuan se kodra mbi të cilën ndodhet xhamia e tanishme është pa dyshim vendi i fortifikimeve romake. Prova të mjaftueshme janë forma drejtkëndëshe e kodrës, mbetjet e dukshme të mureve antike të ngritura me gurë të gdhendur, disa prej të cilëve janë në muret e armatores, dhe së fundi, minareja e xhamisë e ndërtuar gati tërësisht me gurë romakë. Nga Puka, shkova fillimisht në drejtim të lindjes për në Bicaj në luginën e Fanit të Madh dhe pastaj për një ditë të tërë vazhdova nëpër shtigje të rrezikshme lart mbi luginën e Fanit në drejtim të jugut për në Kalivare. Nga Bicaj isha në Mirditë dhe ndodhesha përsëri në rrugën e përshkuar nga Shtajnmeci. Vendbanimet që kalova në Mirditë, në bajrakun e Spaçit, ishin Shmihija, Shkoza dhe Gojani.

Në Kalivare e lashë luginën e Fanit të Madh dhe u ngjita nga lugina e gjelbërt e Lumit të Kalivares përmes Mesulit dhe kullotave malore të Mushtës te Qafa e Lugjut (1465 m.) në shpatin jugor të majës së Munellës. E lashë majën majtas, në të cilën Shtajnmeci u ngjit për herë të parë në vitin 1903 dhe të cilën burrat e Mirditës e përdorën si pikënisje për betejat e tyre me Esadin në vitin e kaluar, dhe u ngjita, i udhëhequr nga Mark Deda i Domgjonit, për orë të tërë përmes ahishteve të bukura ku gjatë rrugës pashë llogore dhe pengesa nga luftimet e fundit. Arritëm në kullotat malore të Domgjonit që ashtu si ato të Mushtës, më dhanë një ndjesi të qartë të bjeshkëve tipike shqiptare, dhe pastaj zbrita në luginën e Fanit të Vogël në drejtim të Domgjonit. Aty u ndava nga Mark Deda të cilin e kisha shfrytëzuar shumë për hulumtimet e mia gjuhësore. Duke zbritur luginën e Fanit të Vogël, mora shtegun pas famullisë së Fanit dhe kalova natën në një vend të fshehtë në shkëmbinjtë i cili përdoret si vendtakimi i krerëve të bajrakut. Të nesërmen arrita në Orosh, kryeqendrën e Mirditës.Vendbanimi i abatit të Mirditës i cili ka një pozicion të mirë, është përshkruar tashmë nga disa udhëtarë, veçanërisht nga A. Degrand në Souvenirs de la Haute-Albanie [Kujtime nga Shqipëria e Epërme] (1903) dhe K. Shtajnmec në librin e lartëpërmendur. Me vendndodhje mbi një brezare në bregun e majtë të Fanit, në mes të rrugës kur ngjitesh prej luginës, Oroshi, me kishën e shkëlqyer që shihet nga larg nga ana jugore, dhe me abacinë e madhe, të kujton Maria-Taferl në vendin tonë.

Përballë në një rrëpirë, në formë gjuhe, të Malit të Shejtit ndodhet fshati Orosh. Abati banon tani në Shkodër dhe abacia është bërë selia e komandës ushtarake. Aty bujta disa ditë si mysafir. Qëndrimin tim e shfrytëzova për t’u ngjitur disa herë në fshatin Orosh për të vizituar mirditorët në kullat e tyre dhe për të mësuar më shumë për dialektin e tyre përmes hartimit të fjalëve dhe të bisedave. Vura re me kënaqësi se miqtë e mi mirditorë në Shkodër më kishin mësuar gjuhën e pastër të Mirditës.Me gëzim shfrytëzova rastin për të shkuar në rajonin fqinj të Lurës kur një patrullë e xhandarmërisë u nis nga Oroshi dhe komandanti i saj më ftoi t’a shoqëroja. Kjo është krahina e një prej fiseve më famëkëqij shqiptarë i njohur për egërsinë dhe armiqësinë ndaj të huajve. Unë kisha mësuar për të nga përshkrimet e K. Shtajnmecit në librin e tij Von der Adria zum schwarzen Drin [Nga Adriatiku në Drinin e Zi]. Pas një dite marshimi nga Oroshi arritëm në Lurë. Shtegu shkon majtas nga Mali i Shejtit përmes hapësirës së gjerë të pyllëzuar të Fushës së Shejtit. Në mesditë pushuam nga ana lindore e saj. Aty pamë disa kasolle prej balte dhe shumë kuti konservash ushqimore të zbrazëta me shkronja cirilike, të mbetura prej fushimit serb nga ditët e arratisjes nëpërmjet Shqipërisë të ushtrisë së mundur serbe.

Prej këndej shtegu zbret në luginën e Mallës dhe ngjitet prapë majtas përmes një gryke të pyllëzuar për në Lurë të Epërme, e cila ka një vendndodhje të mrekullueshme në një luginë në një lartësi prej 1100 m. Ky vend më kujtoi fshatrat tona të larta të Tirolit: Gurgl dhe Vent. Në atë kohë Batalioni 19 Perandorak i Pushkatarëve ndodhej rastësisht në Lurën e Epërme ku kishte ndërmarrë një ekspeditë. Komandanti i tij, Nënkoloneli Broser, më priti përzemërsisht dhe, duke qenë se i duhej të shkonte nga Lura për në Kthellë dhe Selitë si gjykatës, më pyeti nëse do të kisha dëshirë ta shoqëroja dhe të vija njohuritë e mia të gjuhës vendore në dispozicion të ekspeditës. Unë e pranova propozimin e tij me kënaqësi jo vetëm sepse doja ta ndihmoja, por edhe sepse udhëtimi më dha një mundësi të mirëpritur për t’u njohur me fisin dhe me gjuhën e Kthellës. Pas mbarimit të gjyqit në Kthellë, udhëtova me Batalionin 19 të Pushkatarëve përmes Oroshit dhe Kthellës së Epërme për në Selitë ku në Qafën e Kishës ngritëm fushimin midis kishës dhe famullisë në mes të këtij fisi jopaqësor. Çfarë përjetova gjatë dhjetë ditëve të qëndrimit me Batalionin 19 të Pushkatarëve, ku bashkëpunova ngushtë me oficerët e trupave të cilët ishin mjaft të afrueshëm, në një nga krahinat më të ashpra të Shqipërisë, i përket më shumë një kapitulli të historisë politike të Shqipërisë në këtë kohë të trazuar se sa një raporti shkencor për një institucion akademik. Mjafton të theksohet se si myslimanët e Lurës po ashtu edhe katolikët e Kthellës, që në asnjë mënyrë nuk ishin më të mirë, duhej të mësonin se “kohët e vjetra të arta” në Shqipëri kishin perënduar dhe se qytetërimi evropian, i përfaqësuar nga ushtria austro-hungareze, tash po trokiste në derën e Shqipërisë, e cila deri tani kishte mbetur e mbyllur ndaj çdo përparimi kulturor dhe etik.

Pasi kreva detyrën time si “përkthyes gjyqi” dhe pasi mësova diçka për dialektin e këtyre fiseve, i cili është mjaft i ngjashëm me dialektin e Mirditës, u ndava prej zotërinjve të batalionit dhe u ktheva në Shkodër përmes Oroshit, Blinishtit, Ungrejt, Vigut dhe Vaut të Dejës. Dhe pas një qëndrimi të shkurtër, u nisa për në shtëpi.

[Nxjerrë nga Maksimilian Lamberc: Raport mbi studimet e mia gjuhësore në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916 [Bericht über meine linguistische Studien in Albanien vom Mitte Mai bis Ende August 1916]. në: Anzeiger der Kaiserlichen Akademie der Wissenschaften in Wien, Phil.-hist. Kl. Vjenë, 53 (1916), Nr. XX, f. 122-146. Përkthyer nga gjermanishtja nga Robert Elsie.]

 

Exit mobile version