Telegrafi

Ekskluzive: Zeneli arrin marrëveshje me skuadrën franceze Reims, transferimi mund të dështojë vetëm nëse vjen një ofertë më e lartë nga një klub tjetër

Arbër Zeneli është bërë njëri nga lojtarët më të kërkuar në Evropë.

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës ka pasur një stinor të mrekullueshëm me ekipin holandez Heerenveen.

23-vjeçari ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar 11 asistime këtë edicion me fanellën bardh e kaltër.

Por ai po i numëron ditët e tij të fundit në ekipin holandez.

E ardhmja e tij pritet të jetë në kampionatin francez Ligue 1.

(Foto: Heerenveen/Twitter)

Burime të Telegrafit të afërta me lojtarin kanë konfirmuar se Zeneli ka arritur marrëveshje personale me klubin francez Reims.

Lojtari pritet që gjatë këtyre ditëve të udhëtoj drejt Francës për t’i kryer testet mjekësore tek skuadra e tij e re.

Por ende mbetet në dyshim nëse Arbëri do t’i bashkohet gjatë janarit klubit të tij të ri ose në verë.

Nëse Reims paguan dëmshpërblim tek Heerenveen, atëherë Zeneli do t’i bashkohet atyre në janar.

Në rast se klubi francez nuk paguan dëmshpërblim, atëherë ata do të presin në verë Zenelin.

Transferimi i Zenelit në Reims duket punë e kryer, por mund të dështoj vetëm nëse vije një ofertë e madhe në drejtim të Heerenveenit dhe lojtarit.

Për sulmuesin anësor të Kosovës interesim kanë shprehur skuadrat e mëdha turke si Galatasaray, Fenerbahce e Trabzonspor, ndërsa atë nga afër e ka përcjellë edhe gjiganti anglez Chelsea dhe ai zviceran Basel. /Telegrafi/