Xhevat Bislimi dhe Bajram Ajeti tashmë ish-anëtarë të Kryesisë Qendrore të Nisma për Kosovën, sot zyrtarisht i janë bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.
Aderimi i tyre në Vetëvendosje u bë sot zyrtare gjatë një konference për media, ku lideri i kësaj lëvizje Visar Ymeri u uroj mirëseardhje dhe theksoi se njerëzit i bashkohen kësaj partie sepse i ndajnë të njëjtat qëndrime politike.
E aderimin e Xhevat Bislimit në VV, sekretari i Nisma për Kosovën, Biall Sherifi e ka quajtur si formalizim pasi që sipas tij Bislimi ka kohë që është në Vetëvendosje.
Sherifi ka thënë ekskluzivisht për Telegrafin se Bislimi që nga tetori i vitit të kaluar veç ka qenë pjesë e Vetëvendosjes.
“Që Xhevat Bislimi ka qenë Vetëvendosje këtë na e ka thënë edhe Sekretari i VV, Dardan Molliqaj në një takim ku prezent ishin Visar Ymeri, Dardani, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj si dhe unë”, ka thënë Sherifi.
Ai madje ka treguar se Dardan Molliqaj kishte kërkuar që në takimet koordinuese të mos e dërgojnë më Xhevat Bislimin si përfaqësues i Nisma-s pasi që ai tashmë është në Vetëvendosje.
“Kur po merrem vesh me Xhevatin nuk po di a jam marrë vesh me Nismën pasi ky është në Vetëvendosje”, janë këto fjalët që sipas Sherifit ia ka thënë Molliqaj.
Xhevat Bislimi u largua nga Nisma për Kosovën dy javë më parë ku njëra prej arsyeve të largimit të tij ishte siç e quajti ai antimarrëveshja tinëzare në mes Nisma-s dhe AAK-së. /Telegrafi/