Site icon Telegrafi

Ekskluzive/ Shtatë skuadra evropiane pas talentit të madh kosovar

Quhet Arnis Latifi, dhe mbajeni në mend këtë emër pasi pas disa viteve mund ta shohim në ndonjë skuadër të madhe evropiane.

Është vetëm 17-vjeçar dhe luan në skuadrën çeke Karvina, ky aktivizohet për ekipin B, ndërsa stërvitet rregullisht me skuadrën e parë e cila është afër të inkuadrohet në elitën e futbollit çek.

Arnis Latifi me paraqitjet e tij këtë edicion ka zgjuar interesimin e shumë skuadrave të njohura evropiane.

17-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 10 ndeshje me skuadrën e tij Karvina, duke shënuar pesë gola dhe ka dhuruar tetë asistime.

E paraqitjet e mira nuk kanë shkuar huq, pasi janë vërejtur nga skautët e skuadrave zvicerane dhe gjermane.

Siç merr vesh Telegrafi, Arnisi është duke u ndjekur nga gjigantët zviceran, Basel, Grasshoppers, Young Boys Bern dhe Luzern, ndërkohë ai kërkohet edhe nga dy skuadrat gjermane Freiburg që është pranë ngjitjes në Bundesligë dhe Fortuna Dusseldorf.

Gjilanasi ka pasaportë belge dhe ekipi që është afër ngjitjes në elitën e futbollit belg Antwerp po këmbëngulë për transferimin e tij.

Gjithsesi e ardhmja e tij do të mësohet brenda një muaji kur djaloshi i talentuar pritet të nënshkruajë me njërën nga skuadrat e lartpërmendura.

Kujtojmë që Arnisi është djali i ish-boksierit të njohur kosovar Agim Latifi që ka fituar medaljen e artë në lojërat olimpike mesdhetare, dhe si duket edhe djali i tij do të jetë një sportist i suksesshëm si babai. /Telegrafi/

Exit mobile version