“Kosova është shtet i pavarur e sovran me të cilin duhet gjetur mënyrë për t`u pajtuar Serbia. Ky proces është i pakthyeshëm. Kushtetuta e Serbisë që e përshkruan Kosovën si pjesë të saj është joreale. Ka shtete që nuk e duan pajtimin ,por ato që synojnë Evropën duhet ta bëjnë këtë”, të gjitha këto u thanë nga presidenti francez Emmanuel Macron, të hënën derisa po vizitonte shtetin tonë fqinj, Serbinë.
Shumica e këtyre deklaratave të bëra në Beograd u injoruan nga mediat serbe. Edhe vetë Macron u kishte thënë gazetarëve serb se po i kuptonte emocionet e tyre, derisa bënin pyetje të tilla se si mund t`i kërkohet Serbisë njohja e Kosovës.
RTV Dukagjini ka siguruar transkiptën e deklaratave të Macron rreth Kosovës dhe i sjell ato të plota.
“Ju jeni i lidhur me pavarësinë dhe sovranitetin e tuaj. Dhe unë jam i lidhur për sovranitetin e shteteve që i respektojmë. Për këtë arsye besoj tejet thellësisht se ankorimi i Serbisë në Evropë dhe përgjegjësia e Evropës drejt Serbisë është një histori e përbashkët e cila do të vendoset në muajt dhe vitet që vijnë. Dhe është kjo ajo mbi të cilën kemi diskutuar mjaft shumë.
Ekziston procesi i anëtarësimit në BE. Serbia është e angazhuar në atë proces. Serbia e ka për vokacion të anëtarësohet në BE. Në këtë kuadër ne kemi folur qartazi për pyetjen e Kosovës. Siç e përmendet, e kemi bërë me shumë çiltërsi, me të vërteta. Me guxim, sa ju përket juve sepse kjo është një temë me gjemba për vendin tuaj, për historinë e tij dhe për të tashmen e tij. Së bashku me disa homologë të tjerë e kemi pasur një takim në Berlin dhe konform angazhimeve të marra, pas disa javësh do ta organizoj një takim në Paris në një format të reduktuar, bashkë me udhëheqësit kosovarë, ju, kryeministren tuaj dhe kancelaren gjermane. Dhe në lidhje me këtë çështje, dua ta tregoj angazhimin e Francës që një marrëveshje globale dhe e përhershme të gjendet. Jemi duke i jetuar momentet e një ri-ngritje tensionesh.
Dhe këto tensione, duhet thënë, janë ushqyer nga njëra palë ose tjetra. Nga ‘të jashtëm’, nëse mund ta them, të cilët e kanë në interes që të mos gjendet marrëveshja. Unë e di një gjë, që Evropa është ‘nxitim drejt kompleksitetit’. E citoj shpesh Umberto Ekon i cili thoshte ‘gjuha e Evropës është përkthimi’. Për shkak se besoj shumë konkretisht se Serbia dhe Kosova janë evropiane, mendoj se kemi nevojë të ndihmojnë në përkthim të keqkuptimeve dhe t’i heqim ato. Por jo t’i ushqejmë popujt, sidomos meqë jetojnë kaq afër, me idenë që krenaria nacionale është që gjithmonë t’ia kthejmë shpinën kompromisit. Dhe siç ju kam thënë, ju kam dëgjuar duke thënë publikisht këtu dhe duke e thënë me shumë guxim. Kapaciteti për ta shpjer përpara vendin e vet, pavarësinë e tij, forcën e tij, por duke ditur për ta ndërtuar me fqinjët një kompromis është një kualitet i domosdoshëm,mendoj se është forca e evropianëve. Dhe nëse Evropa dëshiron të jetë e fortë në momentin që ajo e jeton sot, ajo do të jetë e tillë duke u angazhuar dhe duke e ndihmuar Serbinë e Kosovën për ta gjetur këtë marrëveshje.
Mendoj se është posaçërisht përgjegjësia jonë, dhe unë e përjetoj si të tillë, që t’ju sjell përkrahjen e domosdoshme për kompromis dhe për stabilitetin e rajonit. Për të arritur tek një marrëveshje nënkupton që secila palë përmbahet nga çdo gjest unilateral dhe jo-konstruktiv, dhe në këtë drejtim zhvillimet në javët e fundit janë preokupuese. Dhe vendimet kundër angazhimeve të marra duhet të abrogohen. I takon më pas dy palëve dhe vetëm atyre që ta përcaktojnë përmbajtjen një marrëveshje, t’i shqyrtojnë të gjitha opsionet që mund të dërgojnë tek një marrëveshje globale dhe definitive. Por, dua ta ri-them këtu, Franca do të jetë plotësisht e angazhuar për ta përkrahur dhe për ta ndërtuar bashkë me Gjermaninë, në një kuadër të një ndërmjetësimi evropian, jo vetëm vazhdimin e dialogut, por të një dialogu kërkues që mëton të gjejë një zgjidhje konkrete në muajt që vijnë. Në çdo rast, për këtë angazhohem personalisht, ju e dini, jam i angazhuar.
Jam i angazhuar sepse besoj në të ardhmen e këtij rajoni, jam i angazhuar për shkak të respektit të vendit tuaj dhe popullit tuaj, jam i angazhuar për shkak të borxheve reciproke që i kemi. Por, jam i angazhuar po ashtu sepse besoj në Evropë. Dhe kushdo që beson në Evropë nuk mund të pranojë fatalitetin e konflikteve të pavendosëshme dhe ta pafundme në Evropë, ose idetë që këto konflikte duhet të arbitrohen nga fuqi joevropiane për tërë kohën. Dhe ri-angazhimi ynë është edhe shenjë e sovranitetit evropian në të cilin besojmë dhe i cili do të jetë pranë jush”, tha Macron.
Pyetje nga Tanjug: Një pyetje për presidentin Macron dhe çështjen e Kosovës…. Serbia nuk do të pranonte një zgjidhje për Kosovën që do të thoshte se Serbia ka humbur gjithçka në lidhje me Kosovën. (Ndërhyn Vuçiq. E përmend se për Francën Kosova është e pavarur derisa për Serbinë jo).
“E kuptoj një pjesë të frustrimit tuaj nga mënyra se si e keni formuluar pyetjen. Dhe nuk do ta ecim mbrapsht sot rrugën e ecur qe 20 vite. Dhe as atë të para asaj kohe. Nuk do të kthehemi mbrapsht. Dhe do t’ju gënjeja nëse ju them diçka të tillë veç pse jam në mesin tuaj. Ju e keni një president, me të cilin mund të pajtoheni ose jo, por i cili e ka pasur guximin ta thotë para përfaqësuesve nacionalë që: ‘Ajo që është në kushtetutë nuk korrespondon me atë që partnerët tanë evropianë e mendojnë, e kanë njohur dhe e kanë vendosur në drejtësinë ndërkombëtare. Dhe ne dëshirojmë të hyjmë në Evropë. Dhe ne mendojmë se e ardhmja jonë është në Evropë. Dhe është e gjendje faktike që ajo që duam dhe që e kemi menduar për ne, nuk është realiteti përreth’. Në anën tjetër është e vërtetë po ashtu se ka njerëz që nuk duan kompromis, që thonë ‘komuniteti ndërkombëtar na ka njohur si të pavarur, plotësisht, dhe nuk duam të kemi të bëjmë më asgjë me Serbinë, duhet të na pranoni gjitha këto të drejta, dhe shkojmë përpara’. Duke thënë se duhet ta ndërtojmë një kompromis, do të thotë që asnjëri nga këto dy pozicione polare nuk është i qëndrueshëm.
Duhet prandaj pajtuar respektin që duhet ta kemi për çdo popull dhe sovranitetin e tij, dhe prandaj sovranitetin e popullit serb, në këtë rast, me realitetin gjeopolitik të rajonit, realitetin që del nga marrëveshjet ndërkombëtare, realiteti i cili bartet po ashtu nga evropianët. Është kjo ajo që ne duhet ta ndërtojmë. Do të thotë se duhet lëvizur, duhet gjetur zëra për të shikuar kah e ardhmja. E them këtë sepse në vendet tona ka rrugë të tilla që duhet t’i kapërcejmë, në vendin tim në lidhje me çështje të tjera. Nuk janë çështje sot që lidhen me kufijtë, edhe pse kemi njohur të tilla në të kaluarën. Por kur një e kaluar nuk kalon, dhe kur kujtimet janë të vështira… nuk jam këtu për të dhënë leksione… është gjithmonë shumë problematike. E di një gjë, duke u bazuar në të kaluarën time, të kaluarën e Francës, dhe nuk është e rastësishme që kancelarja Merkel dhe unë jemi të angazhuar sepse e kaluara e vendeve tona ka kaluar nëpër konflikte territoriale të papërcaktueshme, nëse mund të them. Ose më saktësisht ku i vetmi përfundim ishte konflikti. Ata që mendojnë se mbrojtja e popullit serb, forca e Serbisë, është të mos bëhet asnjë kompromis, dhe mos të ketë mundësi të bëhet një gjest, jo për Kosovën, por bashkë me Kosovën, për Serbinë, për tërë rajonin, le të shohin se çka ka ndodhur në të kaluarën evropiane nga ata që kanë mbajtur fjalime të tilla. Ata kanë çuar drejt të gjitha luftërat. Krenaria e një kombi dhe e një populli nuk qëndron në konfliktin me fqinjët. Ajo qëndron në kapacitetin për të mbrojtur atë që është bazë e këtij sovraniteti, në një patriotizëm vërtet të flaktë, por jo në një nacionalizëm vdekjeprurës. Është gjithmonë ky dallim në të cilin bazohem shumë, sepse Evropa e tëra është përballë me fryma të tilla të këqija.
Unë besoj në patriotizëm, jam evropian dhe patriot. Patriotizmi është dashuria e vendit, dashuria e vlerave të tij, atë që do ta nderojmë pas pak. Jam ashpërsisht patriot dhe thellësisht evropian. Por nuk jam nacionalist, sepse nacionalizmi nuk është aq lidhje me vendin e vet, vlerat e historinë e tij, por urrejtje e tjetrit dhe e fqinjëve. Nacionalisti për mua është patrioti që s’ka më projekte. Kam të tillë në vendin tim, flas nga përvoja. Prandaj të gjithë ata që ju thonë se projekti i vërtetë është urrejtja e fqinjit, është që asnjëherë të mos pajtohemi ose mos ta gjejmë kompromisin, dëgjojini me një vesh mosbesues. Nuk e kam përgjigjen në pyetjen tuaj, por nuk ka zgjidhje mrekulli që është në xhepin tim, as në xhepin e Gjermanisë, as të SHBA-ve e as të Rusisë, as të kujtdo tjetër. Zgjidhja është në zemrat tuaja. Dhe në inteligjencën e vendimmarrësve. Sepse kështu dilet nga këto konflikte.
E them vetëm që do ta vendosi tërë energjinë time, që kjo mundësi të ndodh dhe që eskalimi të mos ndodh. Sepse besoj thellësisht në stabilitetin e këtij rajoni dhe marrëveshja që duhet të ndodh ndërmjet Serbisë e Kosovës duhet të jetë një marrëveshje strukturuese për këtë rajon. Sepse mendoj thellësisht që presidenti juaj ka të drejtë kur thotë se e ardhmja e Serbisë qëndron në kapacitetin e saj për ta konstruktuar një marrëveshje të tillë. Dhe siç ju thash sepse besoj thellësisht në Evropë. Mendoj se është test i kredibilitetit per vet Evropën për të parë nëse ajo është e zonja që t’i mundësojë marrëveshjet e tilla ndërmjet kombeve të mëdha, në Evropë. Pra, do ta bëj me shumë vendosmëri, energji dhe përulësi sepse janë çështje të komplikuara, sepse prekin një histori që është e vonë, sepse çelësi i zgjidhjes është tek udhëheqësit dhe tek popujt. Por e bëj me shumë konsideratë për popujt në fjalë. S’jam këtu për të dhënë leksione, por për t’ju ndihmuar”. /RTV Dukagjini/Telegrafi/