Ylli i Kosovës, Bersant Celina ka qenë temë e ditës në Holandë pas një skandali nga disa tifozë serbë.
Celina është duke u aktivizuar me skuadrën e famshme holandeze Twente, në tribunën e së cilës ishin futur disa tifozë serbë që bënë një provokim të madh.
Ata kishin shpalosur një banderolë me mbishkrimin ‘Kosova është serbi’, por pas reagimit të Bersant Celinës u hoq ajo banderolë me atë mbishkrim me plot fantazi nga serbët pasi Kosova asnjëherë nuk ka qenë Serbi.
Në një rrëfim ekskluziv për Telegrafin, truri i Përfaqësueses së Kosovës tregon për lexuesit tanë ngjarjen që ka ndodhur në stadiumin ‘De Grolsch Veste’.
“Në momentin që e kam parë atë banderolë kam qenë shumë i zemëruar dhe i pikëlluar në të njëjtën kohë. Doja sa më shpejtë ta heqja atë mos ta shihja”, deklaroi Celina për Telegrafin.
Prizrenasi i talentuar tregoi se si veproi pasi u shpalos banderola duke u afruar tek tifozët për të qëruar hesapet me ta.
Ai ishte i gatshëm për tu ndeshet me tifozët serbë që kishin shpalosur atë banderolë me shkrimin kinse ‘Kosova është serbi’.
“Pasi është shpalosur ajo banderolë nuk kam pritur dhe kam shkuar menjëherë tek tribuna. Kam tentuar ta marrë vetë atë”.
“Isha i gatshëm edhe të ndeshëm me disa serbë aty vetëm që ta heqin atë banderolë”.
Celina tregon se tifozët e Twentes dhe klubi janë ndjerë keq me rastin që ka ndodhur.
“Tifozët serb nuk dëshironin që ta largojnë atë gjë nga tribuna, por pas reagimit tim, tifozëve holandez dhe klubit ajo u hoq”.
“Unë e lëndova gishtin tim të vogël në tentim për ta larguar atë. Tifozët tjerë më thanë se ju vije keq për gjestin ashtu edhe klubi që po kërkon personat kush e bëri atë”, tha Celina për Telegrafin.
20-vjeçari thotë se nuk pendohet për reagimin e tij dhe se për ta mbrojtur vendin e tij është në gjendje të bëjë gjithçka.
“Nuk pendohem që kam reaguar ashtu. Nëse përsëri shoh diçka të tillë do të reagojë. Jam gjithmonë i gatshëm të reagoj dhe të luftoj për ta mbrojtur vendin tim”, përfundoi Celina.
Kujtojmë që me komunikatë zyrtare ka dalë edhe klubi holandez Twente që është distancuar nga ajo banderolë.
Ngjarja e ndodhur sot në stadiumin e Twentes nuk është e vetmja, pasi tifozët serbë me fantazinë e tyre të shfrenuar kanë shpalosur kësi banderola edhe në stadiume tjera evropiane si në Madrid apo në Romë. /Telegrafi/